SHPËRNDAJE

Tre fëmijë të moshës prej tetë, nëntë dhe njëmbëdhjetë vjeç, si dhe një burrë 58 vjeçar dje e humbën jetën nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Rramanli në Kumanovë.

Janë lënduar shtatë persona, të cilët morën djegie të shkallës së lartë, duke përfshirë edhe një burrë 58-vjeçar, i cili më vonë iu nënshtrua plagëve. Dje në Njësinë për kujdes intensiv në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup vdiq burri, i cili ishte në gjendje kritike.

Pacientët fillimisht ishin të shtruar në spitalin e Kumanovës, prej atje u dërguan për shërim në Shkup. Drejtori i Institucionit shëndetësor publik, Klinika universitare për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv dhe qendër urgjente, dr. Ilir Asani për MEDIAL-n deklaroi se në gjendje të rëndë shëndetësore janë edhe dy gra, në moshë prej 30 dhe 50 vjeç.

“Në gjendje të rëndë janë edhe dy gra të moshës rreth 30 dhe 50 vjeç. Në gjendje kritike, po ashtu është edhe një burrë i moshuar”, ka thënë Hasani.

Ky është rast i katërt i vdekjes. Në shpërthimin kanë humbur jetën tre fëmijë të moshës prej tetë, nëntë dhe 11 vjeç. Edhe shtatë persona janë lënduar dhe kanë marrë shkallë të lartë të djegieve.

Në gjendje kritike janë edhe një grua katër dhjetë vjeçare dhe fëmijë dhjetëvjeçar të cilët për momentin janë në mjekim në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”- Shkup ku është pranuar edhe një grua shtatzënë e moshës rreth 20 vjeç, deklaroi për MEDIAL drejtori i Klinikës universitare për sëmundje kirurgjikale dhe kirurg kujdestar, Luben Arsenkov.

Arsenkov informoi se është thirrur gjinekologu, i cili e ka kontrolluar pacienten dhe në momentin e kontrollit fryti ka qenë mirë.

“Me pacienten vijojnë mjekimet e plagëve. Gruaja ka djegie diku rreth 20-30 për qind dhe për momentin është në sallën e operacionit, ndërsa pastaj ajo do të kthehet në kujdes intensiv”, tha Arsenkov.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka qenë për vizitë te pacientët e hospitalizuar në KARIL. Filipçe ka informuar mbi gjendjen me të lënduarit dhe ka shtuar se ndërmerren masa për mjekim intensiv të tyre. Ka potencuar se me kujdes do të ndiqet gjendja e tyre.

Nga MPB informojnë se rreth orës 10:00 në Rramanli në shtëpinë pronësi e SH.A. gjatë shpërthimit të bombolës tre fëmijë të moshave 8, 9 dhe 11 vjet kanë vdekur në vendin e ngjarjes.

Zjarri është shuar nga Njësia e zjarrfikësve të Kumanovës. Është njoftuar prokurori publik dhe ekipi mbikëqyrës i SPB-së Kumanovë është dërguar në vendin e ngjarjes me qëllim që të konfirmohen arsyet e fatkeqësisë.

Sot edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu e vizitoi fshatin, u takua me vendasit dhe shprehu ngushëllime.

“Së bashku me zëvendësdrejtorin e Byrosë për siguri publike dhe me zëvendës kryeshefin e SPB-së Kumanovë i shprehim ngushëllime familjes Alimi. Kjo është me të vërtetë tragjedi e madhe. Për fat të keq është konstatuar se tre fëmijët kanë vdekur, shtatë persona janë dërguar në Qendrën klinike Shkup”, tha zëvendësministri Nuhiu.

Ai ka informuar se në vendin e fatkeqësisë kanë dalë prokuroria publike, shërbimet e MPB-së. Sipas vlerësimeve të para thotë zëvendësministri bëhet fjalë për zjarr të shkaktuar nga bombola e gazit. Gjatë ditës dhe në periudhën e ardhshme, pritet raporti përfundimtar i prokurorisë publike. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, nëse do t’i ofrohet ndihmë familjes, Nuhiu theksoi se institucionet do të ofrojnë mbështetje nga të gjitha aspektet, duke i përfshirë edhe ekipet mjekësore.

“Tani për tani asgjë nuk mund të them për gjendjen shëndetësore të shtatë personave të dërguar në Qendrën klinike në Shkup”, tha zëvendësministri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Kryetari i Bashkësisë lokale, Taxhedin Esapi, ndjen keqardhje për tragjedinë që ndodhi në fshatin e tyre në të cilin humbën jetët tre fëmijë të vegjël.

“Të gjithë jemi në keqardhje. Tragjedi e tillë nuk ka ndodhur në fshat. Mu paraqit kryetari i Kumanovës i cili shprehu keqardhje dhe shprehu gatishmëri t’i ndihmojë familjes”, thotë Esapi.

Ngushëllime deri tek familja e të ndjerëve dje nëpërmjet Fejsbukut shprehen edhe presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Oliver Spasovski dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev. Të gjithë potencuan se bëhet fjalë për humbje të madhe, për humbjen e jetëve të fëmijëve dhe uruan shërim të shpejtë për të lënduarit.