SHPËRNDAJE

Ylli i “Queen of Katwe”, Nikita Pearl Waligwa, ka ndërruar jetë në moshën 15 vjeçare, pasi ishte diagnostikuar me tumor në tru.

Në projektin e Disneyt që fliste për një talente shahu nga një lagje e varfër në Ugandë, ajo e ka luajtur rolin e Glorias, ndërsa në këtë film ka luajtur edhe aktorja fituese e çmimit Oscar, Lupita Nyong’o.

Mjekët për herë të parë e kishin zbuluar tumorin në vitin 2016 dhe pas radioterapisë (terapisë me rrezatim) njëvjeçare, ekzaminimet mjekësore kishin treguar se janë zhdukur qelizat kanceroze.

Pas diagnostikimit të Nikitas me kancer, menjëherë pas edhe nëna e saj, Rachel Asiimwe Waligwa, ishte diagnostikuar me kancer dhe mjekët i kishin thënë se kishte vetëm dy muaj jetë.

Mirëpo, ajo i ka mbijetuar sëmundjes dhe e ka quajtur një mrekulli, por fatkeqësisht e njëjta gjë nuk ka ndodhur me vajzën e saj.

Ajo kishte zhvilluar një tjetër tumor dhe përkundër terapisë, aktorja ka ndërruar jetë të shtunën mbrëma në një spital në Naalya të Kampalas në Ugandë.