SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka cilësuar veprim të ngutshëm dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje. Kryeparlamentari Veseli ka thënë se këto dorëheqje janë të dëmshme për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.

Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë. Ftoj të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit”, u shpreh Veseli.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj dhe sipas tij problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut.

“Kosova gjithashtu do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të përmirësuar bashkëjetesën ndëretnike brenda vendit dhe për të konsoliduar stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon”, thekson Veseli.