SHPËRNDAJE

Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar edhe ish-deputetja, Labinotë Demi-Murtezi.

Aderimin e saj në VV, përmes një postimi e ka bërë të ditur, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Kurti ka shkruar se anëtarja e re e LVV-së dëshiron që të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit.

“Labinotë Demi-Murtezi është letrare dhe albanologe, ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ajo u anëtarësua në Lëvizjen tonë. Me prejardhje është nga Gjilani ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme (mjekësi e përgjithshme). Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit”

“Pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave. Ka marrë pjesë në disa kurse e trajnime specialistike, ka qenë asambliste e Kuvendit Komunal në Gjilan, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mandej edhe deputete në legjislaturën e kaluar të Kuvendit. Znj. Labinote dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me VETËVENDOSJE!-n e të domosdoshme për Kosovën”, ka shkruar Kurti.

Labinotë Demi-Murtezi ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e kaluar.

Ajo ishte pjesë e Partisë së Drejtësisë.

Ditë më parë në Vetëvendosje ka kaluar edhe Xhavit Drenori.