SHPËRNDAJE

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë kanë qenë të administruara mirë dhe transparente, por që procesi i numërimit vuri në pah disa probleme, të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore në Kosovë.

Në raportin final të cilin vëzhguesit evropianë e publikuan sot midis tjerash u tha se ka pasur keqpërdorim të resurseve publike dhe mungesë të transparencës në financimin e fushatës nga paritë politike.

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubade, e theksoi presionin në zonat e banuara nga komuniteti serb për të votuar një parti të caktuar.

“Fushata ka qenë e gjallë edhe konkurruese, i ka mundësuar pjesëmarrësve të zgjedhjeve të bëjnë fushatë në mënyrë të lirshme në shumicën e Kosovën. Procesi zgjedhor para ditës së zgjedhjeve ka qenë i administruar mirë edhe transparent. Dita e zgjedhjeve ka shkuar në rregull dhe vëzhguesit e misionit të EU EOM kanë vlerësuar në mënyrë pozitive votimin, e më pak pozitive numërimin”, tha ajo.

Krahas saj ajo theksoi se kredibiliteti i numërimit të votave dhe vonesat në certifikim janë bërë nga mos marrja e vendimeve me kohë të KQZ-së dhe kundërthëniet e vendimeve mes Gjykatës Supreme dhe PZAP.

“Keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës së financimit të fushatës ka rezultuar me një teren jo të barabartë në tërë Kosovën. Ka pasur mungesë konkurrencës në zonat serbe të Kosovës. Mjedisi zgjedhor është dëmtuar, shëmtuar nga frikësimi që kishte kandidatët që nuk ishin të listës serbe. Rezultatet preliminare të publikuara pas ditës së zgjedhjeve në përgjithësi janë besuar nga subjekte politike. Megjithatë kredibiliteti i numërimit dhe tabelimit pas ditës së zgjedhjeve është ndikuar negativisht nga mungesa e vendimeve me kohë të KQZ-së, nga trajtimi jo efikas i ankesave të PZAP dhe natyrisht nga vendimet kundërthënëse të Gjykatave. Këto kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet përfundimtare dhe kanë vonuar konsiderueshëm certifikimin e tyre”, deklaroi ajo.

Deputetja, Viola von Cramon-Taubade i paraqiti edhe 23 rekomandime për reformën zgjedhore në Kosovë, që sipas saj do të përmirësonin zgjedhjet në vend.

Ajo tha se duhet të përmirësohet dizajni i fletëvotimit për zgjedhje parlamentare për të qenë më i kuptueshëm, të saktësohet lista e votuesve dhe të përcaktohet me ligj raportimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të garuesve gjatë periudhës së fushatës.

“Nëse të ardhmen do të ketë zgjedhje të parakohshme që nuk e dina, ato duhet të shpallen së paku dy muaj më herët për të mundësuar përgatitjen me kohë dhe fushatë të rregullt zgjedhore. Së dyti verifikimi në qendrën e numërimit dhe tabelimit ka verifikuar se një numër i madh i kryesuesve të KVV-ve nuk ishin në gjendje të plotësonin formularin e rezultateve si duhet. Prandaj fletëvotimet e gjetura është dashur të rinumërohen. Po thuajse 90 përqind e vendvotimeve janë rinumëruar. Prandaj ne rekomandojmë që të krijohet pozita jopartiakë e anëtarit të komisionin të vendvotimit ose sekretarit për të ofruar përkrahjen për kryesuesin e vendvotimit”, u shpreh ajo.

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE kërkoi që të formohet sa më shpejt qeveria në mënyrë që t’i adresoi gjitha rekomandimet e tyre. Ndërkaq, të pyetur për zarfet e ardhura nga Serbia në të cilat nga kundërmimi u helmuan disa zyrtarë të KQZ-së, vëzhguesit evropian thanë se për këtë rast është duke u ndërmarrë një proces hetimor.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë mbajtur më 6 tetori të vitit të kaluar, si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.