SHPËRNDAJE

Laureati i Nobelit dhe profesori i Stanford Michael Levitt papritur u bë një figurë mjaft popullore në Kinë në kulmin e pandemisë së koronavirusit, duke i dhënë këtij populli qetësi në kulmin e ankthit dhe frikës.

Ndërsa siguron se bazuar mbi statistika virusi është në rënie në një pjesë të botës.

Michael Levitt, laureat i Nobelit, një profesor amerikano-izraelit që jep leksione mbi biologjinë strukturore në Universitetin e Stanfordit, papritur u bë një emër mjaft i dashur në Kinë, në kohën e pikut të pushtimit të saj nga Covid-19.

Ai me njohuritë e tij, i dha siguri opinionit publik duke shpjeguar se ajo cfarë po ndodh ka një vijueshmëri procesi që bazohet mbi shkencë.

Prof. Levitt nuk zbuloi një trajtim apo ndonjë kurë, ai thjesht bëri atë që di të bëjë më mirë: përpunoi shifrat e ndjekjes së këtij procesi që prej fillimit të herës.

Statistikat e çuan atë në përfundimin se, në kundërshtim me parashikimet e zymta që jepen herë pas here, përhapja e virusit do të ndalojë.

Mesazhet qetësuese që prof. Levitt u dërgoi miqve të tij në Kinë, u përkthyen në gjuhën e vendit dhe u transmetuan nga një person në tjetrin, duke e kthyer atë në një personazh popullor për kombin aziatik.

Parashikimet e tij ia dolën të ishin tepër të sakta: numri i rasteve të reja të raportuara çdo ditë, filloi të njohë rënie që nga 7 shkurti.

Ndërsa një javë më vonë, niveli i vdekshmërisë shënoi ulje në grafik, gjithashtu.

Për t’iu përgjigjur skepticizmit të atyre që se njohin, Prof. Levitt, vërtet mund të mos jetë një ekspert në epidemiologji, siç dhe e pohoi vetë në një intervistë telefonike për një të përditshme financiare, “Calcalist”, më të njohurën në Izrael, por ai ka njohuri mbi përpunimin e të dhënave statistikore.

Intervista për gazetën e njohur, fillimisht ishte planifikuar të mbahej në kompleksin modern Sarona në Tel Aviv, ku Levitt banon.

Por pasi ai u përfshi nga një e ftohur, sigurisht “jo corona”, biseda u realizua me telefon.

Edhe pse Levitt beson se pandemia do ta bëjë kurbën e saj, ai tërheq vëmendjen për të gjitha masat e sigurisë që po merren aktualisht nga të gjitha shtetet e botës dhe nevojën për t’iu bindur atyre.

Michael Levitt e fitoi çmimin Nobel për kimi në vitin 2013 për “zhvillimin e modeleve që operojnë në shkallë të pafundme për sisteme kimike komplekse”.

Ai nuk e ka menduar asnjëherë të jetë një profet që paratha, fundin e kësaj fakeqësie që na ka pllakosur; sepse ndodhi kaq rastësisht.

Gruaja e tij, Shoshan Brosh, është një studiuese e artit kinez dhe një kuratore për fotografët vendas, që do të thotë se çifti ndan kohën e tyre mes SH.B.A., Izraelit dhe Kinës.

Kur shpërtheu pandemia, Brosh u shkroi miqve në Kinë për t’i mbështetur ata.

“Kur ata na thanë se sa e ndërlikuar situata paraqitej, unë vendosa t’u hedh një vështrim më të thellë numrave me shpresën për të arritur në një përfundim”, shpjegoi Levitt.

“Shkalla e infeksionit të virusit në provincën Hubei u rrit me 30% çdo ditë – dhe kjo është një statistikë e frikshme.

Unë nuk jam një ekspert i gripit, por mund të analizoj numrat dhe kjo shifër konsiderohet një tregues në rritje”, vazhdon ai.

“Me këtë ritëm, sipas tij, e gjithë bota duhet të ishte infektuar brenda 90 ditësh. Por më pas, tendenca ndryshoi”.

Kur Levitt filloi të analizojë të dhënat në 1 shkurt, Hubei kishte 1,800 raste të reja çdo ditë dhe brenda gjashtë ditësh ky numër arriti në 4.700.

“Dhe pastaj, më 7 shkurt, numri i të prekurve filloi të bjerë në vijë të drejtë dhe nuk u ndal.

Një javë më vonë, e njëjta gjë ndodhi me numrin e vdekjeve.

Ky ndryshim dramatik në kurbë, shënoi pikën mesatare dhe mundësoi parashikim më të mirë se kur do të përfundojë pandemia.

Bazuar në këtë, arrita në përfundimin, shton profesori i biologjisë, se situata në të gjithë Kinën do të përmirësohet brenda dy javësh.

Dhe, me të vërtetë, tani ka shumë pak raste të reja infeksioni”.

Levitt e krahasoi situatën me interesin bankar – nëse ditën e parë një person merr një normë interesi prej 30% në kursimet e tij, ditën tjetër do të marrë 29% dhe kështu me radhë, “do e kuptoni që përfundimisht, kështu ju nuk do të fitoni shumë”.

Mesazhet që u shpërndau miqve të tij, u përkthyen shumë shpejt duke dhënë shpresë në Kinë dhe njerëzit që dëshironin të siguroheshin, nëse i atribuoheshin atij të gjitha këto informacione filluan të kontaktonin vetë prof. Levitt.

Bazuar në zvogëlimin e numrit të rasteve të infeksionit dhe vdekjeve, tha ai, virusi ndoshta do të zhduket nga Kina deri në fund të marsit.

Fillimisht, çdo pacient me koronavirus në Kinë, tha Levitt, infektonte mesatarisht 2.2 persona në ditë- një tregues me rritje të frikshme që mund të çojë drejt katastrofës. “Por pikërisht atëherë numri filloi të bjerë, dhe numri i infeksioneve të reja të përditshme tani po shkon drejt zeros”.

Ai e krahasoi atë sërish me normat e interesit: “edhe nëse norma e interesit vazhdon të bjerë, ju prapë fitoni para. Shuma që keni investuar nuk zvogëlohet, ajo thjesht rritet më ngadalë.

Por kur diskutoni për sëmundjet, ajo i frikëson shumë njerëzit sepse vazhdojnë të dëgjojnë çdo ditë raste të reja.