2.6 C
Presevo, Serbia
02.12.2020
Ballina Lifestyle Viti 1999: Kthesa e madhe

Viti 1999: Kthesa e madhe

SHPËRNDAJE

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1999?

Më 1999, Kosova ishte kryetitulli i mediave të botës. Kurrë më shumë se atëherë nuk ka qenë e rrezikuar qenësia e shqiptarëve të Kosovës. Por, fal Perëndimit, ata mbijetuan…

Më 15 janar 1999 kryhet Masakra e Reçakut, kunga serbët vriten 45 shqiptarë civilë. “Në një grykë sipër fshatit, pashë trupin e parë. Ishte i mbuluar me batanije dhe kur u tërhoq, pashë se nuk kishte kokë në kufomë… Dikush më tha se kafka ishte në anën tjetër të grykës… U gjetën tre trupa tjetër. Dukeshin burra të moshuar, me flokë të thinjura ose të bardha… Kishin plagë në kokë dhe gjak në rroba. Atëherë u gjetën më shumë trupa. Nuk i numërova. Thjesht pashë shumë vrima në kokë – në pjesën e sipërme të kokës dhe në pjesën e pasme të kokës… Më thanë që kishte trupa të tjerë lart dhe sipër kreshtës së kodrës…”, ka thënë shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që më 16 janar viziton Reçakun. Ai atë masakër e quajti krim kundër njerëzimit. Të njëjtin vlerësim e jep më vonë edhe mjekja ligjore nga Finlanda, Helena Ranta. Ndërkaq, gazetari i BBC-së raporton se “gjithë të vrarët ishin njerëz të rëndomtë, bujq, punëtorë, fshatarë, që të gjithë të vrarë me plumb në kokë”.

William Walker duke inspektuar pozicionet e forcave serbe në Podujevë

Më 18 janar, kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, nga autoritetet serbe nuk lejohet të shkojë në Reçak. Të njëjtën ditë, forca të mëdha serbe futen në fshat dhe marrin kufomat. Qëllimi i tyre ishte të falsifikojnë dëshmitë e të mbrojnë qëndrimet se gjoja të vrarët ishin luftëtarë, paçka që në mesin e viktimave ishte një 12-vjeçar dhe tri gra.

Në padinë kundër Sllobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, që bëhet më 27 maj 1999, për Reçakun thuhet: “Më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshati i Reçakut është sulmuar nga forcat e Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të Serbisë. Pas bombardimeve nga forcat ushtarake, policia serbe futet më vonë atë mëngjes në fshat dhe nisë kërkimet shtëpi më shtëpi. Fshatarët që tentuan të ikin nga policia serbe, janë vrarë nëpër fshat. Një grup i 25 burrave tentoi të fshihet në një ndërtesë, ku policët i gjuajtën dhe i vranë. Në përgjithësi, forcat e Federatës dhe Serbisë vranë afro 45 shqiptarë të Kosovës brenda dhe jashtë Reçakut”.

Serbët akuzojnë ambasadorin Walker se gjoja ua ka ndryshuar rrobat të vrarëve, por në ShBA publikohen përgjimet telefonike që dëshmojnë se kreu i shtetit serb e ka urdhëruar këtë krim. Ndër emrat që përmenden janë zëvendëskryeministri Nikolla Shainoviq dhe ministri i Brendshëm, Sreten Lukiq. Ndërkaq, në raportin e saj pas autopsisë së trupave, Helena Ranta thotë se “nuk ka dëshmi që viktimat ishin diçka tjetër pos civilë të paarmatosur”.

Për deklaratat e tij, ambasadori William Walker shpallet persona non grata nga Serbia. Fatkeqësisht, këtë krim dhe të gjitha dëshmitë e dhëna nga ekspertët e pavarur, ende i mohon Serbia.

Pamje tmerri: Reçak, 16 janar 1999

Reçaku nxiti shtetet e Perëndimit të gjejnë zgjidhje për Kosovën. Kështu, më 7 shkurt fillon Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, që mbahet në kështjellën e Rambujesë në periferi të Parisit – kryeqytetit të Francës. Bisedimet udhëhiqeshin nga Hubert Vedrine (ministër i Jashtëm i Francës) dhe Robin Cook (ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe). Ndërmjetës të bisedimeve ishin: amerikani Christopher Hill (këshilltarë: Jim O’Brien, Jon Levitsky dhe Larry Rosin), evropiani Wolfgang Petritsch (këshilltarë: Jan Kickert, Axel Dittmann, Thomas Market, David Slin) dhe rusi Boris Mayorski.

Delegacioni serb përbëhej nga: Ratko Markoviq (shef i ekipit dhe zëvendëskryeministër i Serbisë), Vladan Kutleshiq (zëvendësministër i Jugosllavisë), Nikolla Shainoviq (përfaqësues i Jugosllavisë për Kosovën), Vlladimir Stambuk (nga e Majta Jugosllave), Vojisllav Zhivkoviq (përfaqësues i serbëve të Kosovës), Zeynelabidin Kureysh dhe Gulbehar Saboviq (gjoja përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë), Lush Sokoli dhe Faik Jashari (kinse përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës), Ibro Vait (kinse si përfaqësues i goranëve të Kosovës), Refik Senadoviq (kinse si përfaqësues i komunitet mysliman të Kosovës), Luan Koka (kinse si përfaqësues i romëve të Kosovës) dhe Qerim Abazi (kinse si përfaqësues i komunitetit egjiptian të Kosovës).

Ndërkaq, delegacioni i shqiptarëve të Kosovës përbëhej nga: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti (që të gjithë përfaqësues të LDK-së), Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla (përfaqësues të UÇK-së), Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe Bajram Kosumi (LBD). Anëtarë të pavarur ishin Blerim Shala dhe Veton Surroi. Shef i delegacionit u zgjodh anëtari më i ri, Hashim Thaçi (UÇK).

Konferenca synonte t’i jepte kah zgjidhjes çështjes së Kosovës, por qëndrimet e palës së Kosovës dhe asaj serbe ishin diametralisht të kundërta. Të parët nuk donin të jenë pjesë e Serbisë, përderisa serbët nuk donin të kthehej situata para vitit 1990. Për serbët e pranueshme atë kohë ishte vetëm autonomia kulturore.

Sekretarja Madeleine Albright me krerët e delegacionit shqiptar: Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja (nga e djathta)

Më 23 shkurt u tha se u arrit një konsensus për autonominë substanciale të Kosovës, term që duhej të kënaqte palën serbe, por që përfshinte mekanizmin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e institucioneve demokratike për qeverisje të Kosovës, për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve kombëtare, si dhe për krijimin e një sistemi të duhur të drejtësisë. Realizimi i marrëveshjes kërkonte largimin e shumicës së trupave policore dhe ushtarake serbe, si dhe praninë e trupave të NATO-s si garantues të paqes. Në deklaratën e Grupit të Kontaktit u tha se do të respektohet integriteti territorial i Republikës Federative të Jugosllavisë, por nuk ceket Serbia. Ndërsa, në fund jepet paralajmërimi se ata që pengojnë realizimin e marrëveshjes ose që provokojnë armiqësi tjera apo kërcënojnë sigurinë e Misionit Verifikues, do të mbahen përgjegjës për aksionet e tyre.

Për arritjen e marrëveshjes ishin të interesuara sidomos ShBA-të, për çka në Rambuje qëndron vet Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright. Përderisa për Bisedimet e Dejtonit thuhej se ndërmjetësi amerikan Richard Holbrooke, për vonesat e nënshkrimit të Marrëveshjes për pak sa nuk i rrahu negociatorët (Alia Izetbegoviq, Franjo Tuxhman dhe Sllobodan Milosheviq), këtë herë ata ishin të butë me shqiptarët. I lutnin që të nënshkruanin.

Problemi qëndronte te mos definimi i statusit të Kosovës si territor i pavarur nga Serbia. Por, me refuzim shqiptarët rrezikonin humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Rrezikon gjithçka. Kundërshtari më i zëshëm ishte kreu politik i UÇK-së, Adem Demaçi, që i kishte bërë për vete disa komandantë të UÇK-së. Njëri prej tyre ishte Rrustem Mustafa (Remi), i cili i ka kërcënuar anëtarët e delegacionit shqiptar se do ta hedh në ajër aeroplanin me të cilin do të kthehen, nëse e nënshkruajnë marrëveshjen. Gjatë negociatave, Sylejman Selimi emërohet komandant i UÇK-së dhe ky vendim nga shumëkush u pa si puç. Kështu, nënshkrimi i marrëveshjes u shty për dy javë, të cilat i shfrytëzoi Serbia për sjelljen e trupave shtesë dhe për organizime tjera luftarake.

Veton Surroi, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja (nga e majta), duke nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë

Më 23 mars nënshkruhet marrëveshja nga pala shqiptare. Zëdhënësi i sekretares Albright, James Rubin, në librin “Si e fituam luftën – kujtimet e një protagonisti nga Rambuje deri në fund të luftës në Kosovë”, ka shkruar: ”Thaçi dhe unë shumë shpejt arritëm në vendin tonë të dashur prapa kështjellës. Unë ndeza një cigare shumë ngadalë, sepse nuk më vinte asgjë në mend. Pas një pauze të gjatë, i thashë me gjysmë shaka se njoh disa producentë në Hollywood që do të mund të dëshironin të bënin një film të jetës së tij. ‘A do të jem unë personazh pozitiv apo negativ në film?’ pyeti Thaçi. Në ato çaste atë e thirrën sërish në dhomë për vendimin përfundimtar, por refuzoi të shkoi derisa të merrte një përgjigje nga unë. ‘Kjo varet nëse do të nënshkruash apo jo’, i thashë derisa po nisej drejt kështjellës”. Pala serbe e refuzon marrëveshjen, ndërsa më 24 mars fillojnë sulmet e NATO-s ndaj trupave policore dhe ushtarake serbe. Marrëveshja e Rambujesë bie, sepse tani krijohet një realitet i ri politik dhe ushtarak.

Shtetet e aleancës veriatlantike ia kanë bërë më herët me dije regjimit të Milosheviqit se dhuna mbi popullatën civile mund të çojë deri tek implikimi i NATO-s në konfliktin e Kosovës. Më 2 maj 1998, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s deklarohen për zgjidhje paqësore të problemeve në Kosovë. Më 12 qershor të po të njëjtit vit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s bëjnë me dije se varësisht nga rrjedhat e mëtejme të ngjarjeve, NATO-ja mund të ndërmerr masa konkrete, përfshirë edhe intervenimin ushtarak. Por, të gjitha këto kërkesa hasën në veshin e shurdhët të regjimit serb. Këtë e dëshmoi edhe ultimatumi i 13 tetorit 1998 dhe e ashtuquajtura marrëveshje Hollbruk-Milosheviq, e më vonë edhe Rezoluta 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Një pjesë e madhe e forcave serbe është dashur të tërhiqet nga Kosova, lufta duhej të ndalej. Por, dhuna dhe sulmet serbe vazhduan, madje përkundër prezencës të verifikuesve të OSBE-së. Pra, regjimi serb e shfrytëzoi edhe këtë marrëveshje për të fituar në kohë. Këtë e dëshmojnë sulmet në Podujevë dhe Shtime. Këtë e dëshmojnë vrasjet dhe keqtrajtimet e mëtejme, në veçanti masakra e Reçakut dhe e Rogovës. Pra, regjimi serb nuk ishte i interesuar për paqe.

Raketa Tomahawk lëshohet nga luftanija amerikane “USS Philippine Sea” e pozicionuar në detin Adriatik (24 mars 1999)

Forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi me 400 aeroplanë dhe disa luftanije. Më 25 mars luftimet intensifikohen në pjesën veriore dhe jugore të Kosovës. Forcat serbe shtojnë masat brutale mbi popullatën civile, duke rrëmbyer edhe intelektualët shqiptarë. 300 kriminelë serbë lirohen nga burgu dhe u bashkohen forcave paramilitare. Më 26 mars, fushata serbe e vrasjeve, plaçkitjeve, djegieve dhe keqtrajtimeve bëhet përherë e më e madhe. Më 27 mars një valë e madhe të deportuarve niset në kufijtë me Shqipërinë e Maqedoninë. Fshatrat spastrohen në mënyrë sistematike – ato plaçkiten dhe digjen. Meshkujt ndahen nga familjet dhe ekzekutohen. Më 28 mars nis spastrimi etnik i Prishtinës, ndërsa më 29 mars NATO-ja sulmon kompleksin e Policisë serbe në Prishtinë. Më 2 prill autoritetet e NATO-s dhe të OKB-së ndërmarrin masa për ta parandaluar katastrofën humanitare që mund ta shkaktojë vala e madhe e të deportuarve në Shqipëri dhe Maqedoni. 120 mijë të deportuar kanë hyrë në Maqedoni, 200 mijë të tjerë janë në rrugë. Në Kosovë konfirmohet të jenë aktive forcat paramilitare të Arkanit dhe Sheshelit. Më 4 prill, forcat e NATO-s në Shqipëri dhe Maqedoni ndihmojnë organizatat humanitare. Ndërtohen kampet e reja për të deportuarit. Më 13 prill vlerësohet se numri i të deportuarve ka arritur në 750 mijë. Më 16 prill, fotot e NATO-s dëshmojnë se në Izbicë janë së paku 150 varre. Më 17 prill raportohet se forcat serbe i angazhojnë me dhunë shqiptarët të hapin varre për vendasit e tyre të vrarë, në 43 varreza të identifikuara masive. Më 26 prill trefishohet numri i sulmeve të NATO-s. Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, në një konferencë shtypi thotë: “Ne po fitojmë. Milosheviqi po humb”. Më 30 prill shtohen edhe më luftimet mes forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Humbjet janë të mëdha në të dy anët. Forcat serbe demoralizohen në Kosovë. Raportohet për dezertime të mëdha. Më 4 maj, Clark i thotë kryetarit amerikan Bill Clinton se sulmet ajrore janë të suksesshme dhe se forcat e Milosheviqit po dobësohen përherë e më shumë. Më 6 maj serbët vrasin intelektualin dhe nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani. Më 7 maj bombardohet Hotel Yugoslavia, që ishte bazë e tigrave të Arkanit. E, po ashtu, “gabimisht” edhe Ambasada e Kinës në Beograd. Më 12 maj, sipas UNHCR-së, 590 mijë shqiptarë të zhvendosur fshihen në Kosovë. Më 24 maj shtohen pakënaqësitë në Serbi. Forcat serbe arrestojnë demonstruesit në Kosovac, Aleksandrovac, Çaçak dhe Askar. Nga këto vise janë bërë mobilizimet më të mëdha. Pakënaqësitë i kanë shtuar sidomos arkivolet me ushtarët serbë. Në Kosovë forcat serbe vazhdojnë sulmet, sidomos në kufi me Shqipërinë. Më 31 maj vlerësohet se janë 40 mijë forca serbe brenda Kosovës. Më 4 qershor, liderët ushtarakë të NATO-s dhe ata serbë takohen për të realizuar marrëveshjen tekniko-ushtarake për zhvendosjen e trupave serbe. Më 9 qershor Millosheviqi ka pranuar planin e ndërmjetësve Martti Ahtisaari dhe Viktor Chernomyrdin. Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, u nënshkrua më 9 dhe hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Ajo u nënshkrua nga Michael Jackson, komandant i Parë i KFOR-it në Kosovë dhe Shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, Nebojsha Pavkoviq. Një ditë më vonë miratohet Rezoluta 1244, që formalisht e mbajti Kosovën nën sovranitetin e të ashtuquajturës Jugosllavi, por nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara. Po më 10 qershor, forcat ruse futen në Kosovë. Një ditë më pas, Ushtria Çlirimtare hyri në Prishtinë, ndërsa më 12 qershor aty pozicionohen trupat angleze.

Pamje gjatë bombardimeve në rrethinën e Prishtinës (25 mars 1999)

Gjatë 78 ditëve të sulmeve të NATO-s, afro 1,000 aeroplanë të forcave aleate kanë bërë 35,931 fluturime mbi Kosovë dhe Serbi. Gjatë sulmeve, aeroplanët e NATO-s kanë shkatërruar 290 aeroplanë serbë, prej të cilëve 150 MIG-29, si dhe 1.000 mjete të blinduara. Numri i aeroplanëve sipas shteteve anëtare ishte: Belgjika – 14; Kanada – 18; Danimarka – 8; Gjermania – 26; Franca – 82; Britania e Madhe 72; Italia – 57; NATO – 10; Holanda – 23; Norvegjia – 6; Portugalia – 3; Spanja – 7; Turqia – 21; SHBA – 607. Gjatë këtyre ditëve flitej edhe për invadimin tokësor të trupave të NATO-s.

Nga 24 marsi e deri në fund të luftës, serbët kryen krime të mëdha, ku më të tmerrshmet janë: Masakra e Krushës së Madhe më 25 mars, me 105 civilë të vrarë; Masakra e Suharekës më 26 mars, ku vriten 48 vetë – kryesisht të familjes Berisha; Masakra e Izbicës më 28 mars, me 147 civilë të vrarë; Masakra e Podujevës më 28 mars, ku u vranë 16 vetë – kryesisht gra e fëmijë; Masakra e Mejës më 27-28 prill, me 372 civilë të vrarë; Masakra e Qyshkut më 14 maj, me 41 të vrarë; Masakra e Burgut të Dubravës më 22-24 maj me afro 100 të vrarë… Pos vrasjeve, Qeveria e Bullgarisë zbulon Operacionin Patkoi për spastrimin etnik të Kosovës. “Ia sigurova ministrit të Jashtëm gjerman Joschka Ficsher – respektivisht NATO-s – raportin që posedonte Qeveria bullgare dhe që tregonte qartë se ekzistonte plani ‘Patkoi’, i përgatitur me kujdes nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe kreut të atëhershme të shtetit Milosevic, e që kishte dy qëllime. I pari – shkatërrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe, i dyti, spastrimi i Kosovës nga shqiptarët etnikë. Ky plan gufoi me depërtimin e masave të mëdha të shqiptarëve nga Kosova. Ka filluar në fund të muajit shkurt 1999”, ka thënë më vonë ish-ministrja e Jashtme bullgare Nadezhda Neynski.

Varreza masive në Izbicë e identifikuar nga satelitët e NATO-s

Vlen të ceket se gjatë bombardimeve nis operacioni “Shigjeta” nga forcat e UÇK-së. Në Betejën e Koshares, me Brigadën 138 në krye të së cilës ishte Agim Ramadani, më 9 prill thyhet kufiri i imponuar më 1912 mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Lufta në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, la 13,535 të vrarë, nga të cilët 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë, dhe 526 romë, boshnjakë, malazezë… Nga të gjitha viktimat, në bazë të raportimeve të ndryshme mendohet se 2,400 ishin pjesëtarë të UÇK-së. Ndërkaq, pas luftës, mbi 5,000 njerëz ishin të zhdukur, shumica e të cilëve shqiptarë. Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, janë ende 1,647 të pagjetur. Numri i grave shqiptare të dhunuara llogaritet të jetë 20 mijë, ndërkaq pjesa më e madhe e vendbanimeve ishin të shkatërruara.

Prill 1999: Kosovarët e deportuar në kufi me Maqedoninë

Pas çlirimit të Kosovës, fillon rindërtimi i pjesshëm i Kosovës nga një mori organizatash ndërkombëtare, të cilat njëherësh ofruan edhe mundësi të mirë punësimi për shqiptarët.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) filloi punën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për themelimin e institucioneve vetëqeverisëse. Kryeadministrator i parë i Kosovës ishte Sérgio Vieira de Mello. Më 15 korrik në vend të tij emërohet mjeku dhe diplomati francez, Bernard Kouchner.

Pasuan vizitat e njerëzve më të fuqishëm të botës, si: Hubert Vedrine, Robin Cook, Joschka Ficsher, Tony Blair, Kofi Annan, Javier Solana, Wesley Clark, Bill Clinton etj. Brenda vendit stacionohen 50 mijë ushtarë të huaj dhe 400 organizata të huaja joqeveritare. Gjuha angleze nis të bëhet si gjuhë zyrtare.

Por, lindin problemet tjera: ndarja e Mitrovicës, uzurpimi i pronave, kriza energjetike, problemet e furnitimit me ujë, krimi, mania për të jetuar në Prishtinë, shqiptarët e përçarë mes Qeverisë së Përkohshme të cilën e shpalli Hashim Thaçi gjatë bombardimeve dhe institucioneve që ishin krijuar gjatë sistemit paralel të udhëhequra nga LDK.

Pas çlirimit demilitarizohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa më 19 shtator formohen Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Më 10 tetor formohet Partia për Progres Demokratik që më vonë do të quhet Partia Demokratike e Kosovës.

Çlirimtarët: Trupat angleze marshojnë drejt Prishtinës

Lufta në Kosovë ka dëshmuar se e vetmja forcë garantuese e paqes dhe sigurisë në rajon është NATO-ja. Shikuar në kontekstin tjetër, problemet që dolën në shesh më vonë, si dhe ngecja ushtarake e evropianëve ndaj amerikanëve, dëshmoi se globalizimi ka nevojë për udhëheqës të fortë – për Amerikën. Po ashtu, sulmet e NATO-s ishin sfida më e madhe e kësaj aleance, ndonëse kjo nuk vërehej haptas. Dëshmi për këtë janë divergjencat e shumta mes shteteve aleate, të cilat shfaqen ditëve të para të bombardimeve, kur prognozat për kapitullimin e shpejtë të Milosheviqit nuk përmbushen. Italia e konsideronte veten të rrezikuar, gjoja se të gjitha sulmet realizohen nga territori i saj – baza ushtarake në Aviano. Greqia kërkon ndërprerjen e sulmeve, ndërsa Gjermania – për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën në Ballkan – nuk mbante qëndrim të definuar mirë. Në anën tjetër ishte presioni rus dhe kërcënimet për thyerjen e embargos së armëve dhe furnizimit me naftë. Por, NATO-ja ia doli falë vendosmërisë së amerikanëve, anglezëve dhe francezëve, ndonëse këta të fundit nuk janë anëtarë të NATO-s. NATO-ja fitoi. Lufta u fitua.

Në tetor 1999, pas dorëheqjes së Pandeli Majkos, Ilir Meta bëhet kryeministër i ri i Shqipërisë. Bill Gates shpallet personi më i pasur në botë, ndërsa kinematografia do të mbesë pa regjisorin e madh, Stanley Kubrick. Po këtë vit, Çmimin Nobel për Paqe e fiton organizata humanitare Mjekët pa Kufij, që ka kontribuar në Kosovë që nga viti 1993, ndërkaq ka pasë rol shumë me rëndësi gjatë krizës së valës së madhe të të deportuarve shqiptarë. /Telegrafi/

Mjekët pa Kufij në Shqipëri, duke ndihmuar të deportuarit e Kosovës