SHPËRNDAJE

Për shkak se vijnë nga zona me nivele të larta të infeksionit me virusin Korona, 18 persona nga Vranja për 14 ditët e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen shëndetësore, bëjnë të ditur mediat lokale.

Ata nuk janë të izoluar në karantinë, nuk kanë simptoma dhe nuk e kanë të kufizuar lëvizjen, kanë bërë të ditur nga Enti për shëndetësi publike.

Sipas epidemiologut Sllagjan Stamenkoviç, 14 prej tyre kanë ardhur nga panairi në Verona të Italisë dhe katër prej tyre kanë ardhur nga Kina.

“Ata janë të detyruar të na kontaktojnë dhe ne t’i telefonojmë ata. Deri më tani askush nuk ka simptoma, ata normalisht funksionojnë dhe lëvizin, vetëm se janë të detyruar të paraqiten nëse ndodh ndonjë ndryshim i simptomave, ndërsa ne vazhdojmë të ndjekim procedurën, të marrim mostra dhe t’i izolojmë nëse është e nevojshme.

Këto 14 ditë janë një periudhë inkubacioni dhe qëllimi i mbikëqyrjes shëndetësore është një pasqyrë e gjendjes së tyre shëndetësore” ka thënë Stamenkoviç.

Sipas tij, Enti për Shëndetin Publik merr listën nga inspektori sanitar nga aeroporti “Nikolla Tesla” dhe në bazë të tij dihet se kush janë njerëzit që kanë hyrë në vend dhe cilit territor i përkasin.

“Tani për tani kemi udhëzime për Kinën, Italinë, kryesisht vendet ku ka një numër të madh të pacientëve dhe ku ka një infeksion intensiv” thotë Stamenkoviç.

Sipas tij, nuk ka vend për panik dhe shkalla e rrezikut nuk është aq e madhe sa të vendosen maska mbrojtëse, ndërsa kjo është një procedurë parandaluese që kryhet sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë./presheva.com/