SHPËRNDAJE

Menjëherë pas përfundimit të konferencës për media në një restorant në Prishtinë të mërkurën, emisari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka thënë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, se atij do t’i duhet të jetë i ashpër ndaj Kosovës dhe Serbisë në negociata.

“Ne do të duhet të jemi të ashpër në të dyja anët”, ka thënë Grenell, teksa ka vazhduar duke thënë se ai dëshiron zhvillim ekonomik për të dyja vendet.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se e vlerëson entuziazmin e Grenell, por thotë se përshpejtimi i bisedimeve “nuk shkon aq lehtë”.

Ai ka pretenduar se në Dallas ka biseduar me këshilltarin amerikan për siguri kombëtare Robert O’Brien, dhe se O’Brien dhe Grenell “tregojnë energji të madhe” si dhe se për Serbinë është i rëndësishëm përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Ai ka thënë se Grenell, para arritjes në Beograd, kryesisht ka folur për ekonomi.

“Do të bisedojmë për gjithçka. Është e pakuptimtë të flasim për trafikun ajror, e të mos mund të transportojmë mallra”, ka thënë Vuçiq duke i përmendur taksat kosovare në prodhimet serbe.

Ai ka thënë se gjithmonë është i kujdesshëm para takimit me Grenellin, por se i respekton qëllimet dhe energjinë e Grenellit, për të cilin ka thënë se është njeri i cili ka pasion të veçantë në politikë.