SHPËRNDAJE

Sot, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se do t’i dërgonte një mesazh urimi presidentit të sapozgjedhur të Kroacisë, Zoran Milanoviq, “sepse kështu veprojnë njerëzit e mirë”, një gjë e tillë edhe ka ndodhur.

Kjo, sipas klix.ba, është bërë e ditur pasi “kartolina e Vuçiqit” ishte postuar në faqen zyrtare të Presidentit të Serbisë.

Dhe këtë urim, mediumi në fjalë e ka vlerësuar ndoshta “me përmbajtjen më të shkurtër” nga zyrtarët e rajonit, të cilët uruan sot presidentin e sapozgjedhur të Kroacisë.

“Z. Milanoviq, ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si president i Republikës së Kroacisë”, ka shkruar Vuçiq.

Në urimin e tij zyrtar, Vuçiq nuk ka shprehur ndonjë pritje kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë, shkruan ky medium.

Presidenti i ri i Kroacisë, Zoran Milanoviq i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP) mposhti presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Presidenti i ri i Kroacisë u lind në Zagreb në vitin 1966 ku u diplomua në juridik.

Ai punoi në Ministrinë e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane në vitet 1990, dhe pas vdekjes së Ivica Raçan në 2007, ai u zgjodh president i SDP, partia kryesore e qendrës së majtë të Kroacisë.