SHPËRNDAJE

“Për herë të parë, falë rritjes së buxhetit të Serbisë, mund t’i ndihmojmë popullit në Kosovë. Kjo është shumë e rëndësishme për forcimin e Serbisë, për forcimin e popullit serb”, ka thënë në Zveçan kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, përcjellin medie të Beogradit .

Në takim kanë qenë zyrtarë të Listës Serbe, deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe ministrat në Qeverinë e Kosovës Dalbor Jevtiq e Nenad Rikallo.

Ai ka kërkuar falje për vonesën në takimi pasi, tha, “kishte pasur një bisedë të gjatë telefonike me kryetarin e Turqisë Erdogan”.

“Bisedimet janë shumë të vështira. Dhe unë nuk jam ai që mund t’iu jap ndonjë parashikim optimist. E parashikimi optimist është nëse arrijmë te zgjidhja që nuk do ta poshtëronte asnjërën palë dhe që të ruhej fytyra edhe e Beogradit e edhe e Prishtinës. Por jemi larg kësaj zgjidhjeje. Na mbete vetëm të luftojmë për interesat e popullit dhe të atdheut tonë, por edhe ta kuptojmë mirë se në ç’ pozitë gjendemi e të dimë se sa dramatikisht do të rrezikoheshim me prishjen e paqes e stabilitetit në këtë rajon”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se ka “më së paku të atillë që kuptojnë se sa e komplikuar është Kosova dhe se në Kosovë as nuk është e gjitha e jona dhe as nuk është e gjitha e atyre”.

“Ne na duet të luftojmë për mbetjen e popullit tonë në Kosovë”, ka përfunduar ai.