SHPËRNDAJE

Shumë gjëra po ndodhin sot në Kosovë, gjëra që më kujtojnë ato që ndodhnin në fund të viteve ’80, sado që kushtet dhe rrethanat tani janë krejt tjera (dhe madje pothuajse të pakrahasueshme).

Po ia filloj nga takimi im dhe biseda me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fillim të muajit shkurt të këtij viti. Pas publikimit të intervistës me të për “Globusin“, pata të ashtuquajturën drekë pune, në vilën “Bokeljka” në Dedinje. Në një moment e pyeta Vuçiqin se si mendonte ta zgjidhte problemin e Kosovës. U mendua paksa – kaluan disa sekonda në heshtje domethënëse – e pastaj tha se nuk do ta japë, apo nuk mendon ta japë veriun e Kosovës. Nuk arrita të kujtoj fjalë për fjalë se çfarë më tha.

Mbrojtja e veriut të Kosovës, kjo ishte në njëfarë mënyre boshti i politikës së tij për Kosovën. Në bisedimet e tij të mundimshme dhe maratonike me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Kosovë (por edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilin gjithashtu e përfshiu në bisedime), si dhe, natyrisht edhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së, me në krye komisaren evropiane për Punë të Jashtme dhe Siguri, italianen Federica Mogherini.