SHPËRNDAJE

Vulin

Ministri serb i Punës dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin, tha se Kosova gjendet nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe se “Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës”.

Duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Kosovës për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, i cili tha se Serbia e ka njohur Kosovën, ndërsa kjo ilustrohet edhe me Marrëveshjen e Brukselit, Vulini mohoi këtë duke thënë se Kosova nuk është e pavarur dhe se serbët kurrë nuk do ta njohin shtetin kosovar.

“Ju nuk jeni të pavarur. Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Për Serbinë, Kosova është zonë nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare në përputhje me Rezolutën 1244 dhe asgjë më shumë”, tha Vulin.

“Provoni të bëni të miratoni një ligj të rëndësishëm pa marrë mbështetjen e Beogradit dhe do të shihni se a do t’ia arrini. Çfarë pavarësie është kjo, kur për të negocioni edhe në Bruksel”, pyeti Vulin, duke shtuar se qeveria e Kosovës nuk duhet të luajë dhe mashtrojë popullin e saj.