SHPËRNDAJE

Të befasishme e ka cilësuar gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post”, deklaratën e Thaçit se do ta lëvizte Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, sigurisht nëse do ta kishte një të tillë.

“Nëse Kosova do të njihej nga Izraeli, unë do ta hapja Ambasadën e Kosovës në Jerusalem”, tha Thaçi për mediat shqiptare.

Gazeta amerikane ka kujtuar se vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump, që të lëvizë Ambasadën nuk ishte përkrahur nga shtete të mëdha dhe vetëm Guatemala dhe Paraguai e kanë ndjekur shembullin e tij.

“Këtë javë një shtet tjetër ka dhënë sinjale se shpreson që të hapë Ambasadën e vet në Jerusalem dhe për befasi, është një shtet me shumicë myslimane. Por është një problem këtu: Izraeli nuk e njeh këtë shtet”, shkruan Washington Post, raporton KTV.

Vendimi i Izraelit që të mos e njoh Kosovën është pikërisht për shkak të frikës se Palestina mund ta shfrytëzojë këtë për të arsyetuar pavarësinë e saj. Vendimi i Trumpit që të lëvizë Ambasadën u cilësua kundërthënës, meqenëse Jerusalemi është qytet i ndarë e me pronësi të diskutueshme ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.