SHPËRNDAJE

Partia Social Demokrate ka marr vendim që të largohet nga Ekipi Negociator, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e ka shpallur jokushtetues këtë ekip.

Nënkryetari i PSD-së, Visa Ymeri, ka thënë se me këtë vendim Kushtetuesja ia ka besuar dialogun presidencës dhe kryeministrit.

“Partia Socialdemokrate ka marr vendim që të del nga ky delegacion shtetëror. Pra që nga sot të gjithë anëtarët që janë në këtë delegacion shtetëror do të pushojnë të shërbyer në këtë organ të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të shpallur sot i ka kontestuar dhe i ka shpallur antikushtetuese të gjitha kompetencat që i janë dhënë delegacionit shtetëror dhe kështu i ka pamundësuar Kuvendit që jetë në pozicionin udhëheqës të dialogut me Serbinë. Gjykata Kushtetuese sot tha përmes gjykimit të vet se dialogu me Serbinë nuk mundet të drejtoi Kuvendi, por kryeministri dhe presidenti. Kështu ky dialogu që pati gjasa të jetë transparent, konsensual të forcave politike është kthyer në duar të dy njerëzve”, ka thënë Ymeri.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për fondet e delegacionit, ku sipas tij nuk janë shpenzuar gjitha paratë që kanë qenë të dedikuara.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë fonde për delegacion. 300 mijë euro kanë qenë të dedikuara për Delegacionin. Por këto nuk kanë qenë të shpenzuara. Në anën tjetër delegacioni shtetëror shpenzimet e veta që i ka pasur, i ka pas vetëm për kohën sa është miratuar platforma e cila është votuar me shumicë nga deputetët në Kuvend të Kosovës. Delegacioni shtetëror e ka pas një udhëtim të përbashkët në Bruksel ku kanë takuar përfaqësuesen e lartë zonjën Mogherini për këtë vendim institucional. Pastaj kanë qenë dhe dy udhëtime të tjera të bashkëkryesuesve. Pra këto janë udhëtimet që kanë bërë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër kreu i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti njëherësh kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë është jokushtetues.

Ahmeti ka thënë se, Partia Socialdemokrate e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do të veprojë sipas tij.

Ai ka thënë se anëtarët e Delegacionit Shtetëror nga radhët e PSD-së, nga sot pushojnë së shërbyeri për këtë organ, dhe se nesër do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend.

Kurse sot Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit.