SHPËRNDAJE

Gjatë takimit të së hënës në mes presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u fol për formimin e sa më të shpejtë të Qeverisë.

Lideri i LVV-së, duke folur për këtë takim tha se nuk ka efekte juridike, ndërsa emrin e mandatarit për kryeministër do ta dërgoj me shkrim.

Madje për këtë takim u deklarua edhe presidenti Hashim Thaçi përmes rrjeteve sociale ku tha se kreu i VV-së nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit dhe se kishte vendosur t’i ofronte edhe 48 orë shtesë para se të ndërmerrte veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.

E ky afat kohor skadon pasditen e sotme, ndërkaq nuk dihet se a do t’ia dorëzoj Kurti me shkrim emrin e kandidatit për formimin e Qeverisë.

Ndonëse nga Zyra e Presidentit nuk kanë pranuar të deklarohen sot rreth kësaj çështjeje, nga burime brenda këtij institucioni mësohet se afati 48 orësh i presidentit Thaçi, të cilin e dha pas takimit me Kurtin, zyrtarisht skadon sonte në orën 24:00.

E këtë afat kohor prej 48 orësh, njohës të Kushtetuës kanë thënë se Kushtetua e Kosovës nuk parasheh se sa gjatë duhet të presë presidenti për propozimin e kandidatit për kryeministër nga partia politike e cila ka fituar në zgjedhje.

Për këtë afat kohor ka folur dje edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti i cili deklaroi se presidenti Thaçi gjatë takimit nuk ka përmendur afatet ligjore dhe se për këtë dëshmitarë janë edhe personat e tjerë që kanë qenë në takim, shkruan Telegrafi.

“Gjatë takimit te djeshëm të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”, deklaroi Kurti.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Kurti dhe Mustafa kanë zhvilluar edhe një takim i cili zgjati më shumë se dy orë, mirëpo në fund të dy liderët e partive LVV dhe LDK u pajtuan që të zhvillonin edhe një takim sot gjatë ditës.

“Në fund të takimit janë pajtuar që të takohen nesër edhe njëherë. Për detaje të takimit do t’ju lajmërojmë nesër para dite edhe njëherë. Nuk kam detaje të tjera për momentin”, tha dje para mediave zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Pritet të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin e sotëm në mes Albin Kurtit dhe Isa Musafës, dhe se a do të ketë marrëveshje apo jo. Ndërkaq LVV-ja sot po ashtu do të vazhdojë mbledhjen e Kryesisë të cilën e ka nisur dje.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit dy partitë më të votuara janë Lëvizja Vetëvendosje me 26.270% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.548% të votave.