SHPËRNDAJE

Kolonizimi i zonës së Kumanovës pas Luftës së Parë Botërore ishte një proces i nxitur nga Mbretëria e Jugosllavisë me qëllim ndryshimin demografik në këtë rajon të ‘Vilajetit të Kosovës’ të cilin Serbia e pushtoi pas largimit të okupatorit të mëhershëm otoman.
Kolonizimi i kësaj periudhe kishte ndodhur në tri etapa, dhe atë:
– Periudha prej 1919 deri më 1923 – ku në zonën e Kumanovës u vendosën 525 familje serbe.
– Periudha prej 1924 deri më 1928 – ku në zonën e Kumanovës u vendosën 194 familje serbe.
– Periudha e tretë prej 1929 deri më 1941 – nuk ka të dhëna të sakta për numrin e familjeve kolonizuese në këtë rajon.
Kolonizimi u ndërpre me 1941, pasi që kishte filluar Lufta e Dytë Botërore dhe Gjermania kishte sulmuar Jugosllavinë.

Familjet kolonizuese më së shumti vinin nga rajonet veriore të Serbisë, si p.sh. nga Lika, Banati, Sremi etj.
Vendbanimet që u kolonizuan në rrethinën e Kumanovës:

– Tabanoci – fshat në veri të Kumanovës, mes Kumanovës dhe Preshevës. Para kolonizimit në këtë fshat jetonin popullatë vendase sllave orthodokse (maqedonase) dhe shqiptarë, ishte fshat i përzier. Demografia e fshatit u ndryshua më 1921 me ardhjen e kolonistëve, të cilët krijuan tre lagje të posacme në këtë fshat: Kiselica (me 9 shtëpi), Vojnoviq (me rreth 20 shtëpi) dhe Sllanishta (me 35 shtëpi).

– Kosturniku – u kolonizua më 1921 me familje të ardhura nga rrethina e Pirotit. Në vitet ’60ta gjatë socializmit këto familje shpërngulen në pjesën urbane të Kumanovës, ndërsa shtëpitë dhe tokat e fituara nga Mbretëria Jugosllave ua shesin shqiptarëve të ardhur nga fshati Tunaj (Dunav) prej Karadaku.

– Reçica, Kojnare e Poshtme, Tromegja, Rajkova Kuqa, Çetirca etj – ishin vetëm disa prej vendbanimeve që tërësisht u kolonizuan në këtë pjesë të Kumanovës. Të gjitha këto vendbanime kishin emra të tjerë para kolonizimit. Emrat me të cilat njihen sot janë emra që u aktualizuan gjatë periudhës së kolonizimit.

– Çerkezi – ishte fshat i themeluar nga osmanlinjtë, nga një fis mongol me të njëjtin emër. Pas disfatës dhe tërheqjes së Perandorisë Osmane nga këto vise edhe banorët u shpërngulën për në Turqi dhe në këtë fshat filluan të vendosen shqiptarët që jetonin në afërsi të fshatit, në fshatet malore të Karadakut, si dhe u vendosën 13 familje koloniste serbe nga rajoni i Pirotit.

– Lubodragu, Umin Dolli dhe Novosella – ishin fshatra të populluara me popullatë turke që pas disfatës së Perandorisë Osmane u shpërngulën për në Turqi. Këto tri fshatra u kolonizuan tërësisht dhe në to jetojnë vetëm familje kolonizuese të ardhura nga Serbia në periudha të ndryshme. Fshatrat kishin emra të tjerë, të cilat u ndryshuan me procesin e kolonizimit.

Kolonizimi u zgjerua edhe në viset e vendbanuara dhe etnikisht homogjene vetëm me shqiptarë katolik dhe musliman, si p.sh. Malësia e Karadakut, aty ku kurrë më herët nuk kishte jetuar popullatë sllave ose turke. Për shkak të rezistencës së popullatës lokale ndaj kolonizimit, në këto vise u vendosën numra më të vogël të familjeve serbe. Në zonat e ulëta të Karadakut familje kolonizuese kishte në fshatrat:
– Ropalcë – u vendosën 6 familje serbe kolonizuese, kryesisht me prejardhje nga Bosna.
– Bukuroci – 6 familje kolonizuese, kryesisht nga Bosna.
– Mateç – ky fshat shqiptar u kolonizua në disa periudha, dhe në të u vendosën mbi 30 familje të ardhura nga vise të ndryshme të Serbisë.
– Dumanoci – vendbanim që u krijua posacërisht gjatë këtij procesi të kolonizimit në vetë Malësinë e Karadakut, ku u vendosën disa dhjetra familje serbe nga vise të ndryshme, në mes të Malësisë e cila ishte etnikisht homogjene me shqiptarë. Qëllimi ishte kontrollimi i popullatës së Malësisë së Karadakut. Ky fshat sot nuk ekziston, pasi që me kohë, të gjithë serbët kolonizues u shpërngulën në Kumanovë ose zona më të ulëta dhe urbane.