SHPËRNDAJE

Presidenti i zgjedhur i Kroacisë, Zoran Milanoviq lindi në Zagreb më 30 tetor 1966. Nëna e tij ishte profesoreshë e gjuhëve të huaja dhe babai i tij ekonomist.

Njeriu që kishte pseudonimin Basta në Trnje “nuk ishte i rehatshëm” në rininë e tij, pasi shpesh luftonte me bashkëmoshatarët.

Sipas mediumit kroat Index,hr., përcjell Telegrafi, tanimë presidenti i Kroacisë ishte regjistruar në shkollën e Drejtësisë në vitin 1985, dhe do të diplomohej me një çmim Rektori.

Milanoviq fillimisht punoi në Gjykatën Tregtare në Zagreb në vitin 1991, por dy vjet më vonë, me rekomandimin e mikut të tij Sinisa Petroviq, ai përfundoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ai shërbeu si këshilltar në Misionin Kroat në Bashkimin Evropian dhe NATO në Bruksel nga 1996 në 1999. Po atë vit ai u bashkua me Partinë Socialdemokrate.

Këshilltar i Edi Ramës

Sipas një shkrimi të publikuar nga Tema, në qershor të vitit 2007 ai u zgjodh president i SDP, pas vdekjes së liderit dhe ish-kryeministrit Ivica Raqan.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, partia e tij doli e dyta dhe nuk ishin në gjendje të formojnë një shumicë qeverisëse. Me gjithë humbjen e zgjedhjeve, ai u rizgjodh drejtues i partisë në vitin 2008.

Në vitin 2010, Milanoviq inicioi formimin e koalicionit “Kukuriku”, duke bashkuar katër parti politike të qendrës së majtë.

Koalicioni fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, me vetë SDP-në duke u bërë partia më e fortë në Parlament. Milanoviq u bë kryeministër më 23 dhjetor 2011, pasi Parlamenti miratoi kabinetin e tij.

Gjatë qeverisjes së tij u shënua përfundimi i procesit të ratifikimit të hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe mbajtja e një referendumi për anëtarësimin në BE.

Kabineti i tij prezantoi ndryshime në kodin e taksave, miratoi një ligj fiskalizimi dhe filloi disa projekte të mëdha infrastrukturore.

Milanoviq mbështeti zgjerimin e të drejtave të çifteve të të njëjtit seks dhe prezantoi Aktin e Partneritetit Jeta, shkruan tutje Tema.

Por në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në shtator të vitit 2016 ai pësoi një humbje befasuese andaj Milanoviq njoftoi tërheqjen e tij nga politika.

Më pas hyri në biznesin e këshillimit dhe punoi si këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Vetë Rama i pyetur për këtë çështje nuk e ka mohuar.

“Kroacia është e jashtëzakonshme, është një shembull fantastik i mënyrës se si ta ndjekim këtë ambicie. Zoran është një mik i madh. I kam kërkuar këshillim dhe do t’i kërkoj sa herë ta takoj. Më duhet t’i them se ai është kaq i mirë me mua se asnjëherë nuk është vonë kur jep këshillat e tij”, ka thënë Rama i pyetur nga gazetarët kroatë, përcjell Tema.

Kishte thënë se nuk do të bëhej kurrë president!

Sipas mediumit kroat Index.hr, përcjell Telegrafi, me gjithë deklaratat e tij të mëparshme se ai kurrë nuk do të jetë president, sepse ai “nuk sheh asnjë arsye”, Milanoviq shpalli kandidaturën e tij për president në 17 qershor të vitit 2019.

Dhe organet e partisë do ta konfirmojnë atë një muaj më vonë.

Milanoviq e filloi fushatën me sloganin “President me karakter” dhe më vonë me sloganin “Normalisht”.

Po sipas të njëjtit medium, ndoshta faktor që ai fitoi zgjedhjet është edhe për faktin se presidentja e deritanishme Grabar-Kitaroviq udhëhoqi ndoshta fushatën presidenciale më të keqe në të gjithë historinë kroate.

Për dallim nga Kolinda, Milanoviq nuk u dorëzua nga presioni i fushatës, shkruan mediumi kroat – por tregoi një dozë të papritur të vetëkontrollit.

Milanoviq dukej presidencial, dhe ai e dinte saktësisht se çfarë duhet të bëjë presidenti dhe si duhet të duket. Ai ishte një kategori mbi konkurrencën e tij më të fortë, “me gjithë të metat e tij të njohura”.

Dhe më pas ai mundi Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Milanoviq kishte 29.57 për qind të votave dhe Kolinda Grabar-Kitaroviq 26.55 për qind. Ndërsa në raundin e dytë, ai kishte 52.7 për qind të votave, krahasuar me 47.3 për qind të Grabar-Kitaroviq.