SHPËRNDAJE

 

Shtatë raste të koronavirusit gjatë ditëve të fundit janë “importuar” nga udhëtarët që kishin ardhur në Zvicër nga Serbia. A duhet të priten masa speciale tani?

Infeksionet me koronavirus në Zvicër janë rritur përsëri që nga kjo javë. Sot, kur ishin numëruar 58 raste të reja infeksionesh, ishte dita e katërt me radhë me trend të rritjes.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), shtimi i ditëve të fundit përfshin edhe rastet e “importuara” nga jashtë, veçanërisht ato nga Serbia, shkruan srf.ch.

Sipas BAG, shtatë të ardhur nga Serbia janë testuar pozitive për virusin gjatë dy ditëve të fundit.

Bëhet fjalë për dy ditë gjatë të cilave në gjithë Zvicrën ishin raportuar rreth njëqind infeksione të reja, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale nuk ka specifikuar në detaje vendet e tjera prej nga do të ketë pasur “import” të infeksioneve.

Por ajo duhej ta kishte bërë, thotë ambasadori serb në Zvicër, Goran Bradić.
“Unë jam në favor të krahasimit të të dhënave nga i gjithë rajoni ose nga vendet fqinje”.

Në vendin më të vogël fqinj, në Kroaci, për shembull, numri i rasteve është rritur sërish tashmë disa ditë, por në një nivel shumë më të ulët se në Serbi, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet zvicerane tani po mendojnë nëse emigrantët nga Serbia duhet të kontrollohen posaçërisht kur kalojnë kufirin, për shembull, duke u matur temperaturën.

Në fillim të pandemisë, në muajin mars, Zvicra ka qenë një nga vendet e para, shtetasve të së cilave qeveria serbe ua kishte ndaluar hyrjen në vendin e saj.