Klopp surprizon dhe e mbyll me Liverpoolin: Lajm tronditës, por nuk kam më energji

0
30

Ky është sezoni i fundit për trajnerin Jurgen Klopp në krye të Liverpool. Tekniku gjerman nuk do të rinovojë kontratën me “The Reds”, e në fundin e këtij sezoni do të mbyllë pas nëntë vitesh eksperiencën me Liverpool.

Ky njoftim vjen nga vetë klubi i Liverpool që thekson në deklaratën për mediat se 56-vjeçari i ka lajmëruar tashmë drejtuesit e klubit për vendimin e marrë. Vetë Klopp, theksoi se ky lajm mund të shokojë shumë persona, por u shpreh se nuk ka më të njëjtn energji si më parë.

“E kuptoj se ky lajm është tronditës për shumë njerëz në këtë moment, por padyshim që mund ta shpjegoj, ose të paktën të përpiqem ta shpjegoj. Më pëlqen gjithçka në këtë klub, më pëlqen gjithçka për qytetin, më pëlqen gjithçka për tifozët tanë, e dua ekipin, e dua stafin. Unë dua gjithçka. Por, marr këtë vendim i bindur se është i duhuri.

Si ta them, po më mbaron energjia. Nuk kam asnjë problem tani, padyshim, e dija se do të më duhet ta shpallja në një moment, por tani jam absolutisht mirë. E di që nuk mund ta bëj punën për gjithë jetën.

Pas viteve që patëm bashkë dhe pas gjithë kohës që kaluam bashkë dhe pas të gjitha gjërave që kaluam së bashku, respekti u rrit për Liverpoolin, dashuria u rrit dhe më e pakta që i detyrohem është e vërteta. Ne jemi Liverpool, kemi kaluar gjëra më të vështira së bashku.

Dhe tifozët kanë kaluar gjëra më të vështira para meje. Le të bëjmë një sforco dhe të shohim para. Le të japim maksimumin këtë sezon dhe të kemi një tjetër arsye për të buzëqeshur kur të kthejmë sytë pas në të ardhmen”, përfundoi Klopp.

Klopp është në udhëheqjen e Liverpool prej vitit 2015 duke rikthyer skuadrën te sukseset madhorë siç ishte titulli kampion në Premier League apo edhe në Champions League. Por, pa lënë mënjanë edhe të tjerë trofe si Superkupa e Europës, Community Shield, Botërori për Klube, FA Cup dhe Carabao Cup./SuperSport


Top Channel