Kongresmenia letër Kurtit: Firmos Asociacionin, ta mbyllim këtë punë!

0
75

Durimi i ndërkombëtareve me situatën e pazgjidhur përfundimisht në veri të Kosovës, po soset, e dëshmuar qartë kjo dhe nga letra që i dërgoi së fundi kongresmenia amerikane Claudia Tenney kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Jam shumë e shqetësuar me tensionet e përshkallëzuar në Veri të Kosovës. Sot i kam dërguar letër kryeministrit Kurti, për të kërkuar nga ai zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar më 2013 për të siguruar të drejta dhe siguri për serbët e Kosovës”, ka shkruar ajo në Twitter, ku postoi dhe letrën plotë. Veç bashkësisë së komunave me shumicë serbe, të konsideruar kyçe për të bindur serbët të implementojnë marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e saj, ligjvënësja insiston dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ju inkurajoj shumë ju dhe administratën tuaj të mbani zgjedhje të reja për kryetarë të të komunave me shumicë serbe, të tërhiqni plotësisht forcat speciale nga komunat me shumicë serbe dhe të krijoni asociacionin e tyre siç e dikton Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013”, thuhet në letër.

“Siç e dini, serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë komunash në veri të Kosovës, si rezultat i politikave diskriminuese antiserbe dhe mungesës së progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit”, vazhdon ajo. Më tej, teksa përmend hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në ndërtesat komunale, Tenney shton me tone të ashpra se “fluksi i policisë speciale vetëm shërben për t’i ndezur tensionet dhe konfliktin sesa për të ofruar një zgjidhje politike afatgjatë për këto komunitete”.


Top Channel