Bateritë e gjeneratës së ardhshme të veturave elektrike Toyota janë planifikuar të dyfishojnë rrezen e drejtimit – Telegrafi

0
56

Gjiganti japonez i veturave Toyota ka publikuar planet për të rritur rrezen e drejtimit të veturave elektrike në kufirin e 1,200 ose 1,500 kilometrave me një karikim me një teknologji të re të baterive.

Toyota – prodhuesi më i madh në botë i veturave nga vëllimi i shitjeve – në qershor 2023 publikoi pamjet për bateri të avancuara “të gjendjes së ngurtë” që mund të mbulojnë mbi 1000 km me një karikim, ndërkohë që karikohen më shpejt dhe janë më të lira për t’u prodhuar se bateritë aktuale.

Tani ajo ka publikuar detaje të reja mbi fazat e avancimit të teknologjisë së baterive që planifikon në rrugën drejt objektivit të saj përfundimtar të rrezes së drejtimit, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Faza tjetër e teknologjisë së baterive Toyota quhet “Performance”, që pritet të dal në vitin 2026 me pretendime për më shumë se 800 kilometra rreze të drejtimit, 10 deri në 80 për qind karikim të shpejtë në 20 minuta dhe një çmim 20 për qind më të ulët se bateritë e SUV-së elektrike aktuale Toyota BZ4X SUV.

Ato pritet të debutojnë në një model të ri Lexus në vitin 2026, i cili është vendosur që të dal me një pamje paraprake në ekspozitën e veturave të Tokyo-s në muajin e ardhshëm.

Bateritë e “Performance” përdorin kimi monopolare të ngjashme litium-jon, me baterinë e BZ4X, e cila mundëson 500 kilometra distancë të pretenduar të drejtimit dhe një karikim 10 deri në 80 përqind në vetëm 30 minuta.

Në vitin 2026 ose 2027 është planifikuar të dal teknologjia bipolare e baterive me litium fosfat hekuri (LFP) – e quajtur “Popularised” – e cila premton të jetë 40 për qind më e lirë se bateria e BZ4X, por do të ofrojë më shumë se 600 kilometra distancë të pretenduar të drejtimit dhe karikim të ngjashëm me modelin e sotëm.

E planifikuar për vitin 2028 është bateria bipolare litium-jon “High Performance”, e vlerësuar të ofrojë më shumë se 1,000 kilometra distancë me një karikim, ndërkohë që është 10 për qind më e lirë se bateria “Performance” e vitit 2026 dhe 10 deri në 80 për qind karikim në vetëm 20 minuta.

Toyota vlerëson se 1.7 milionë nga 3.5 milionë automjetet elektrike që pret të shesë globalisht në vitin 2030 do të përdorin teknologjinë e baterive të gjeneratës së ardhshme. /Telegrafi/