SHBA, vazhdon ngërçi për buxhetin në Kongres

0
43

Një mbyllje e pjesshme e qeverisë duket e pashmangshme ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy të enjten, nuk pranoi të merrte në shqyrtim një projektligj të Senatit për buxhetin dhe përpjekjet e ligjvënësve republikanë për t’u bashkuar rreth një projektligji të tyre për financimin e qeverisë nuk u mbyllën me sukses.

Kongresi po përballet me një ngërç politik në prag të një mbylljeje të pjesshme të qeverisë federale, që do të mund të ndikonte pagat e rreth 2 milionë punonjësve të qeverisë federale dhe 2 milionë ushtarëve.

Por Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po ndjekin rrugë të ndryshme për të shmangur këto pasoja ndonëse po mbaron koha për të gjetur një zgjidhje para ditës së diel.

Senati po punon për miratimin e një projektligji dypartiak që do të financonte qeverinë deri më 17 nëntor, ndërsa negociatat për një buxhet afatgjatë do të vazhdonin, duke siguruar gjithashtu 6 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 6 miliardë dollarë në ndihma për rajonet amerikane të goditura nga fatkeqësitë.

Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve ka siguruar votat për katër nga rreth dhjetë projektligje vjetore për financimin e agjencive të ndryshme qeveritare me shpresën se kjo do të nxisë mjaft republikanë që të mbështesin një projektligj për financimin e përkohshëm të qevrerisë dhe rritjen e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Kjo duket e vështirë, por zoti McCarthy tha se do të arrihej një marrvëshje për buxhetin.

“Ne do ta bëjmë këtë. Mendoj se mund të punojmë gjatë fundjavës. Mendoj se mund ta gjejmë një zgjidhje për këtë”, tha ai në një intervistë për kanalin CNBC të enjten.Ligjvënësit janë tashmë të lodhur nga ditët e negociatave që po zgjasin deri në orët e vona të natës. Tensionet ishin të dukshme në takimin me dyer të mbyllura të zotit McCarthy me republikanët në mëngjesin e së enjtes, i cili u shoqërua nga një shkëmbim i tensionuar mes Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ligjvënësit Matt Gaetz, sipas disa personave që morën pjesë në këtë takim. Aleatët e zotit McCarthy janë të zemëruar nga taktikat e ligjvënësit Gaetz, i cili është një nga udhëheqësit e grupit të vijës së ashpër të ligjvënësve republikanë, të cilët po bëjnë thirrje për shkurtime drastike të shpenzimeve qeveritare dhe ndërprerjen e imigracionit të paligjshëm në kufirin SHBA-Meksikë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy ka njoftuar ligjvënësit republikanë se ai do të paraqesë një projektligj për një buxhet të përkohshëm të premten dhe do të përpiqet të sigurojë disa lëshime nga demokratët, që kontrollojnë Senatin.

Në qershor, Presidenti Joe Biden arriti një marrëveshje me zotin McCarthy për rritjen e tavanit të huamarrjes, e cila u nënshkrua në ligj nga Presidenti, dhe kërkon rreth 1.5 trilion dollarë shkurtime shpenzimesh gjatë 10 viteve të ardhshme.
Republikanët e vijës së ashpër kërkojnë shkurtime më të thella, me rreth 120 miliardë dollarë shkurtime shtesë vetëm për vitin e ri fiskal, gjë që mund të ndikojë tek programe që variojnë nga arsimi dhe mbrojtja e mjedisit deri tek hulumtimet mjekësore. /VOA


Top Channel