Transportonin emigrantë kundrejt pagesës 3500 – 5000 euro/person, pranga 9 personave! Dy në kërkim

0
62

Nëntë persona janë arrestuar për transportim të emigrantëve të paligjshëm kundrejt pagesës.

Në kuadër të operacionit “Fazat”, i zhvilluar gjatë 6 muajve të fundit, në bashkëpunim me Prokurorinë, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Daniel Sina, Rexhina Hyka, Fatmir Kapa, Shani Piro dhe Ledion Koçiu në aksin rrugor Lezhë-Shkodër dhe në Shijak.

Ndërkaq si rezultat i hetimeve, me urdhër nga prokuroria, u arrestuan edhe Emiljan Sina, Ardjan Tema, Hume Murrizi dhe Eleva Pirro.

Gjatë periudhës hetimore, shërbimet e Policisë Durrës kanë mbajtur në vëzhgim nga Saranda në Shkodër, pjesëtarët e grupit kriminal të cilët i transportonin emigrantët nga Nepali, Afganistani, Bangladeshi dhe India, që ndiqnin itinerarin “Turqi-Greqi-Shqipëri” dhe synonin të kalonin në vendet e Bashkimit Europian, me automjete të marra me qira, kundrejt pagesës 3500 – 5000 euro/person.

Emigrantët, pasi grumbulloheshin në Greqi, kaloheshin nga pjesëtarët e këtij rrjeti, nga kufiri i gjelbër, në Sarandë, Gjirokastër dhe në Korçë. Më pas, emigrantët akomodoheshin në ambiente të ndryshme dhe transportoheshin me automjete të marra më qira, drejt Shkodrës, që të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.

Autoritetet kanë sekuestruar 7 automjete që përdoreshin për transportimin e emigrantëve, 4 000 euro dhe rreth 100 000 lekë, të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 19 celularë të pjesëtarëve të rrjetit.

Po ashtu, u shpallën në kërkim shtetasit F. U., 29 vjeç dhe B. D., 23 vjeç, të dy banues në Krujë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.


Top Channel