Sulmet në veri të Kosovës, Parlamenti Europian do të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë

0
53

Parlamenti Europian po planifikon të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit gjatë 24 shtatorit.

Radio Europa e Lirë raporton se vendosja e ndëshkimeve kanë dakordësinë e shumicës së anëtarëve të PE-së, por vendimet përfundimtare i merr Këshilli ose Komisioni Evropian.

Në diskutimet e bëra për situatën në Kosovë mund të pritet që në këtë rezolutë të bëhet ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, e më pas do të kërkohen masat ndëshkuese për palën serbe.

Grupet politike janë duke formuluar propozimet e tyre për një rezolutë të posaçme për zhvillimet në Kosovë dhe për raportet Prishtinë-Beograd. Rezoluta pritet të vendoset në procedurë të përshpejtuar dhe më pas të miratohet më 19 tetor gjatë seancës plenare të Parlamentit Europian.

Në të dhënat paraprake përfaqësuesit kërkojnë një hetim të plotë për sulmin ndaj policisë së Kosovës ku mbeti I vrarë edhe një rreshter.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e grupit të armatosur të serbëve ndaj forcave të vendit, akuza që Serbia i ka mohuar.

Më herët BE-ja ka njoftuar se pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të ndërmarrë hapa dhe masa të mundshme kundrejt fajtorëve.


Top Channel