25-vjetori i krijimit të Batalionit të Forcave Speciale/ Begaj: I dhatë dinjitet Shqipërisë në NATO!

0
36

25 vite më parë u krijua të Batalioni i Forcave Speciale. Në ceremoninë e mbajtur në këtë ditë të veçantë, presidenti i Republikës Bajram Begaj vlerësoi kontributin e dhënë nga efektivët e njësisë elitë e Forcave të Armatosura.

“Krijimi i kësaj strukture 25 vjet më parë erdhi jo vetëm si domosdoshmëri e kohës por edhe si rrjedhojë e natyrshme e vizionit tonë euro-atlantik. Batalioni juaj ishte përpjekja jonë e parë për t’u bërë asokohe pjesë e aleancës më e suksesshme ushtarake në botë.”

Në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj këtij batalioni për përfshirjen në misione dhe operacione nga ato luftarake paqeriajtëse deri tek ato humanitare. Efektivat e këtij batalioni kanë shërbyer me sukses në Afganistan, Irak, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë,  duke i dhënë Shqipërisë dinjitet si anëtare e NATO-s.

“Natyrisht, përpjekjet tona do të ishin pa vlerë nëse ju nuk do të tregonit këmbëngulje, përkushtim, profesionalizëm dhe atdhedashuri në misionet tuaja të vështira. Kudo ku keni shërbyer jashtë vendit, në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan, apo brenda vendit në ndihmë të popullsisë gjatë emergjencave civile, ju e keni lartësuar emrin e Shqipërisë si anëtare e denjë e NATO-s dhe emrat tuaj si profesionistë në vijën e parë të sigurisë”.

Duke iu referuar  zhvillimeve më të fundme në fushën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, Presidenti u shpreh se pasojat e këtyre konflikteve mbartin potencialin e përhapjes edhe në rajone të tjera. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin që NATO jep nëpërmjet misionit KFOR për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

“Ne do të vijojmë të ndërtojmë marrëdhënie multilaterale, të zhvillojmë partneritete strategjike brenda kornizës euro-atlantike dhe të ruajmë sovranitetin tonë, duke promovuar paqe dhe harmoni. Roli dhe kontributi i forcave të armatosura në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Prandaj investimi te ju, është investim direkt te siguria e vendit, tek e ardhmja jonë e përbashkët”.


Top Channel