Sot vazhdon Këshilli i Ministrave të OSBE-së në Shkup, pritet të merren vendime të rëndësishme – Telegrafi

0
41

Sot përfundon takimi ministror i OSBE-së i mbajtur në Shkup. Sipas rendit të ditës, sot do të mbahet seanca plenare përfundimtare, e më pas do të mbahet konferenca përfundimtare për media me kryesuesin, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me përfaqësuesin e Maltës, i cili është kryetar i radhës i OSBE-së dhe Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar, ka pasur paralajmërime se e ardhmja e Organizatës mund të jetë në krizë, për shkak të pengesave të krijuara nga Moska, siç është buxheti vjetor i OSBE-së, por edhe mandati i katër pozicioneve të rëndësishme në OSBE – Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i ODIHR-it, Përfaqësues i lartë për pakicat kombëtare dhe Përfaqësues për lirinë e medias.

Mandati i tyre skadon më 4 dhjetor dhe ende nuk ka marrëveshje nëse dhe kush do t’i trashëgojë, për shkak të vërejtjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Jozyrtarisht, sipas burimeve të “Sloboden Pechat”, sot duhet të merret vendim për këto katër pozita, por mandati i tyre mund të jetë tre, katër apo deri në gjashtë muaj.

Për sot është paralajmëruar konferencë për media e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, e cila organizohet nga delegacioni rus dhe për të cilën ka interesim të madh nga gazetarët e akredituar pas takimit në Shkup.

Në ditën e fundit të takimit ministror do të mbahen tre aktivitete anësore me temën “Rinia dhe shoqëria civile”, “Bëhet fjalë për njerëzit – ndikimi i operacioneve në terren të OSBE-së në vitin 2023” dhe “Ruajtja e pluralizmit – siguria e grave gazetare”.

Ndryshe, udhëheqësit evropianë dënuan dje agresionin rus kundër Ukrainës dhe shprehën mbështetje të fortë për popullin ukrainas, dhe disa prej tyre u larguan nga salla gjatë fjalimit të kreut të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili tha në fjalimin e tij se çfarë po ndodh aktualisht në OSBE nuk është mënyra e duhur për t’u marrë me çështjet e sigurisë evropiane. Para pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave, Lavrov theksoi se kryeqytetet perëndimore po veprojnë në atë mënyrë që të minojnë punën e OSBE-së.

Për shkak të ardhjes së Lavrovit në Shkup, ministrat e jashtëm të Ukrainës, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Polonisë anuluan pjesëmarrjen e tyre në Këshillin e Ministrave.

Në Këshillin Ministror marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të OSBE-së dhe vendet partnere./Telegrafi/