Është lojtari më në formë në Evropë, por Bellingham admiron një lojtar që ende nuk e ka dëshmuar vetën te Real Madridi – Telegrafi

0
41

Jude Bellingham, sipas mendimit të shumë tifozëve, aktualisht është një nga futbollistët më të mirë në botë. Ajo që po bën në sezonin e tij të parë në fanellën e Real Madridit është e pabesueshme dhe aktualisht 20-vjeçari anglez ka arritur të fitojë titullin Golden Boy “Djaloshi i Artë”, pra është fituesi i çmimit për futbollistin e ri më të mirë në botë.

Mesfushori pa dyshim do të hyjë në garën për Topin e Artë vitin e ardhshëm dhe sipas tij janë tre futbollistë që mund ta pasojnë atë si fitues të çmimit për lojtarin më të mirë të ri në botë.

“Kush mund të jetë trashëgimtari im i çmimit? Do të them tre emra. I pari është Arda Guler. Djali është fenomen, e shoh se çfarë bën në stërvitje dhe është i mahnitshëm”, deklaroi fillimisht Bellingham.

“Pastaj është ish-bashkëlojtari im nga Borussia Dortmund, Jamie Bynoe-Gittens dhe më në fund vëllai im Jobe”.

Ai është krenar për çmimin e tij, si dhe për klubin dhe familjen e tij që e kanë mbështetur deri tek fitimi i këtij trofeu individual.

“E di që të gjithë janë të lumtur për mua. Jam i lumtur për çmimin sepse ndodh një herë në jetë. Unë jam anglezi i tretë pas Wayne Rooney dhe Raheem Sterling që merr çmimin. Ky ishte shansi im i fundit sepse vitin e ardhshëm unë nuk do të isha në garë. Hera e tretë me fat dhe për mua një mesazh për të punuar edhe më shumë dhe më mirë”, shtoi Bellingham.

Real Madridi ka paguar 103 milionë euro për të riun anglez dhe deri më tani i ka paguar shumëfish. Ai u vendos menjëherë si lider, dhe në 17 ndeshje të luajtura, shënoi 15 gola dhe pati katër asistime. /Telegrafi/