Nënshkruhet marrëveshja për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, Murati: Së shpejti do të nënshkruajmë edhe me Prizrenin – Telegrafi

0
58

Sot është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve lidhur me Projektin për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Komuna e Prishtinës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ky projekt vjen si vazhdim i projekteve me komuna të Kosovës.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë.

“Në nëntor nënshkruam një marrëveshje në vlerë prej 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza duke e sjellë vlerën e grantit të përgjithshëm në vlerë 42 milionë euro…Sot kryeqytetin po e thellojmë dhe me një marrëveshje tjetër e kjo është marrëveshja për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë duke garantuar sisteme të ngrohjes të cilat janë më efiçiente, pra mundësojnë kursimin e energjisë dhe në të njëjtën kohë përkojnë edhe me standardet ndërkombëtare”, ka thënë Murati, transmeton Telegrafi.

Murati tha se përveç sistemit të ri të ngrohjes, me këtë marrëveshje do të zëvendësohen edhe dyert, dritaret si dhe do të bëhet izolimi termik i 47 ndërtesave publike ku përfshihen kopshti për fëmijë, shkollat si dhe qendrat për kujdesin shëndetësorë primar.

Ministri i Financave po ashtu tha se së shpejti do të nënshkruajnë marrëveshjen e ngjashme edhe me Komunën e Prizrenit.

“Përmirësimi i ndërtesave publike mundëson që fëmijët dhe të moshuarit të marrin shërbime e tyre në ambiente më të përshtatshme të cilat janë më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës. Marrëveshja e sotme ka grant në vlerën e një milion eurove bashk me marrëveshjen që kishim nënshkruar më herët për kredinë. Përves kësaj, presim që së shpejti të nënshkruajmë marrëveshjen e ngjashme edhe me Komunën e Prizrenit, ndërkaq në të ardhmen do ta zgjerojmë këtë koncept bashk me BERZH-in , por edhe të partnerëve të tjerë financiarë”, ka thënë Murati.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kjo ka rëndësi për qytetarin jo vetëm në aspektin e energjisë që e shpenzojnë, por edhe të ambientit që krijojnë.

“Një ambient që tashmë në shkollat e shumta do të kemi një ambient të mirë, ku nxënësit tanë do të mësojnë nëpër shkolla, për fëmijët tanë që të kalojnë kohë nëpër çerdhe si dhe ndërtesa tjera që të kenë ambient të mirë”, ka thënë Rama. /Telegrafi/