Kreu i Gjykatës së Lartë: E papranueshme që ata që njohin ligjin paraqesin rekurse të pabazuara! Dëshmon nivel të ulët përfaqësimi

0
48

Paraqitja e rekurseve që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë, ishte një nga problemet më të mëdha gjatë këtij viti, sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

“E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje).

Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.

Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara.

Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura”, shpjegoi Sadushi.


Top Channel