Kryeministri Rama largon ish-ministrin Beqaj nga grupi negociator me BE-në

0
32

Kryeministri Edi Rama ka larguar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nga grupi negociator me Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e së mërkurës, Qeveria ka marrë vendimin për të zëvendësuan Beqajn, që ishte pjesë e grupit negociator për zhvillimin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në union, me Joana Sulin.

Ky vendim vjen në kohën kur ish-ministri i Shëndetësisë po hetohet për koncesionin e sterilizimit, gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Seanca e radhës për ish-ministrin ishte sot, pasi gjykata e kërkon të paraqitet çdo të premte.

Për ish-ministrin, GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Prokurorët e SPAK prej tre vitesh e kishin nën hetim ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”. Për llogari të këtij hetimi, në 17 Gusht 2023 SPAK arrestoi ish-zëvendës ministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të sterilizimit.

Pas Beqajt, me vendim të Qeverisë hiqet nga grupi i negociatorëve edhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Vendin e saj e zë Enkeleda Dudushi.

Edhe ministri i ri i Financave hiqet nga grupi i negociatorëve dhe zëvendësohet me Mimoza Kaçin.

Vendimi i qeverisë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Fjalët “Znj. Albana Koçiu” zëvendësohen me “Znj. Enkela Dudushi”;

b) Fjalët “Z. Ilir Beqaj” zëvendësohen me “Znj. Jona Suli,”;

c) Fjalët “Z. Ervin Mete, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, negociator për kapitullin 9;” zëvendësohen me

“Znj. Mimoza Kaçi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, negociator në detyrë për kapitullin 9, deri në emërimin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv;”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Top Channel