Berisha vazhdon të flasë vetëm nga dritarja e banesës, hedh akuza ndaj Ramës – Telegrafi

0
49

Sali Berisha u është drejtuar sërish nga dritarja mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij në Tiranë.

Duke i falenderuar për praninë e tyre edhe në këtë ditë më shi, kryedemokrati u tha se me qëndresën e tyre, demokratët i thanë jo përpjekjes për ta lënë vendin pa opozitë.

“Ju shpreh ju sonte mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh. Sonte në shi, në kushte të vështira ju dëshmuat se nuk ka asnjë pengesë para jush, në kthesën tuaj, në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij.

Miqtë e mi! Në rast se mendojmë se çfarë është shpresa, ajo është rrezja që shpon çdo errësirë, çdo tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim. Në të vërtetë, shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, të cilët keni vendosur të përballeni me diktaturën.

Jeni të vendosur që të qëndroni si opozitarë të pamposhtur, të mbroni liritë, të drejtat më themelore, dinjiteti njerëzor, nga narkoshteti i Edi Ramës që po rrënon çdo ditë Shqipërinë e shqiptarët”, tha Berisha.

Berisha, 79 vjeç, po mbikëqyret nga policia në banesën e tij, pasi pas këtij vendimi e ka të ndaluar largimin nga ajo dhe komunikimin me persona të tjerë, përjashtuar ata me të cilën jeton, njoftoi gjykata.

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) kishte kërkuar arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Për çfarë po hetohet Berisha?

Prokurorët thanë në tetor se Berisha e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.