“Donte të qëllonte shoferin e furgonit”/ Hakmarrja për plagosjen e së bijës! Në Shlli të Matit, atje ku krimet nuk lahen vetëm me burg

0
43

Në shtëpinë e Islam Metës, një bletërritës nga fshati Shlli i Matit ka rënë heshtja.

Në banesë ndodhen gratë e familjes dhe fëmijët të cilëve në derë u rrinin 2 punonjës policie që u garantonin sigurinë pasi i druhen një hakmarrjeje. Një ditë më parë i zoti i kësaj shtëpie Islam Meta vrau bashkëfshatarin e tij Petrit Kuka pasi ky i fundit në vitin 2013 kishte plagosur me armë zjarri të bijën dhe kunatën e tij. Kjo ngjarje peshoi rëndë në sedrën e tij që nuk u shua as me dënimin e autorit dhe as me kalimin e gati një dekade.

Mëngjesin e së dielës Islam Meta dhe Petrit Kuka u përballën me njëri-tjetrin në fshatin Vig. Sipas familjarëve ky takim ishte i rastësishëm por përfundoi tragjikisht pasi Islami qëlloi me armën e gjahut drejt Petrit Kukës duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes shkoi njoftoi policinë dhe u vetëdorëzua.

Petrit Kuka pas daljes nga burgu për plagosje nuk jetonte më në Shelli por ishte zhvendosur së bashku me 3 fëmijët dhe bashkëshorten në Durrës.

Për motivet e këtij konflikti që në një dekadë numëron 3 plagosje dhe një viktimë nuk flet askush. Policia thotë se Petrit Kuka kërkonte vajzën e Islamit dhe kur kjo u fejua ai e plagosi. Ndërsa gratë e familjes kanë një tjetër version.

“Nuk kishte probleme me vajzën. Donte të qëllonte shoferin e furgonit po kapi vajzën dhe kunatën. Islami i çoi haber të mos i dilte para. Pse vjen në fshat ai kur s’ka as grua as fëmijë këtu. Shteti ta shohë se Islami s’ka asnjë faj”, tha ajo.

Fshati Vig ka rreth 10 shtëpi të shpërndara në shpatin e malit që dimrin e kalojnë të izoluar mes borës. Këtu asgjë e re nuk ndodh por nëse dalin fjalë sipas familjes Meta ato nuk lahen me burg.


Top Channel