Vendimet e gjyqtarëve në Real Madrid-Almeria: Gjithçka që dihet deri më tani – Telegrafi

0
39

Real Madridi ishte duke humbur 1-0 ndaj Almerias në minutën e parë të lojës dhe pranoi një tjetër në fund të pjesës së parë – një rezultat i paprecedentë duke qenë se Almeria është në fund të tabelës dhe pa fitore gjatë gjithë sezonit.

Real Madridit iu deshën tri episode të diskutueshme arbitrimi dhe kohë deri në minutën e 67′ për të barazuar, dhe një thirrje tjetër për të mundësuar golin e fitores.

Por, le të kalojmë episod pas episode:

Polemikat

1. Thirrje e diskutueshme për penallti. ‘Rikthimi’ i Real Madridit filloi me një penallti. Zyrtarët e VAR-it vunë re një goditje të dukshme me dorë të një lojtari të Almerias teksa ishte në një duel me lojtarët madrilenë.

Megjithatë, para se topi të godiste lojtarin në krahun e tij, Antonio Rudiger u pa qartë duke u hedhur në shpinë të një lojtari kundërshtar dhe duke e bërë qartë faull ndaj tij.

Zyrtarët zgjodhën ta shihnin atë dhe t’i qëndronin penalltisë, e cila u shndërrua në gol nga Jude Bellingham.

2. Almerias iu anulua goli i tretë. Ndërsa Almeria ende po kryesonte 2-1, ata patën një shans të artë për të shënuar një të tretë – gjë që e bënë. Megjithatë, goli u anulua për një faull të supozuar në fillim të aksionit. Ndërsa një lojtar i Almerias po mbronte topin, duart e tij prekën fytyrën e Jude Bellingham. Arbitri Hernandez Maesco ishte përballë dhe nuk pa asgjë të keqe me të derisa në VAR, Hernandez Hernandez ndërhyri.

3. Real Madridi barazoi rezultatin me sa duket përmes lojës me dorë. Vetëm gjashtë minuta pasi Almerias iu refuzua goli i tretë, Real Madridi gjeti golin e barazimit me atë që erdhi si një lojë flagrante me dorë nga Vinicius Jr.

Anësori e drejtoi topin në portë me atë që dukej si një pjesë e krahut të tij. Edhe pas një kontrolli të VAR-it, goli u dha pasi zyrtarët mendonin se ai goditi kraharorin e tij – me rregullat e futbollit që pranonin golat nga supi i një lojtari.

4. Vinicius u kursye për goditjen me bërryl kundër kundërshtarit të tij. Episodi i fundit në zinxhirin e polemikave ndodhi në minutën e 87′ me rezultatin 2-2. Vinicius goditi kundërshtarin me bërryl në fytyrë pasi topi nuk po lëvizte as në drejtimin e tij. Dhoma e VAR foli me arbitrin në fushë dhe të dy arritën në përfundimin se nuk kishte faull.

Protesta e Almerias

Trajneri i Almerias, Gaizka Garitano u zemërua kur pa skuadrën e tij të grabitur në pjesën e dytë. Ai u përjashtua nga fundi për shkak të protestës ndaj vendimit të arbitrit dhe u zemërua pas lojës, duke thënë: “Zakonisht nuk flas për arbitrat, por të gjithë e kanë parë këtë lojë dhe nuk është hera e parë që më ndodh këtu. Pastaj ne penalizohemi për të folur, mendimi im është i pavlerë, çfarë të them, nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që ndodhi sot”.

Gonzalo Melero, mesfushori i tyre, tha: “Ne po largohemi me ndjenjën se na kanë grabitur. Nuk mendoj se mund të kishim bërë më shumë nga fundi për t’i futur ata në lojë. Nuk ka asnjë mënyrë për të pranuar. Ajo që ndodhi sot ishte përtej çdo kufiri”.

Gerard Romero publikoi audion

Ndërkohë, gazetari pro-Barcelonës, Gerard Romero ndezi edhe më tej zjarrin duke postuar një audio video të zbuluar që tregonte se Vini Jr duhej të ishte përjashtuar për shkak të një bërryli ndaj lojtarit kundërshtar.

Romero postoi një videoklip ku gjyqtari i VAR-it, Hernandez Hernandez, dukej se kishte parë një faull nga Vini ndaj një lojtari të Almerias.

Hernandez Hernández (VAR): “Faull i mundshëm në sulm. Dua të shoh. Pak më mbrapa, pak më mbrapa (…) Uh, dua ta shoh shkurt”.

Hernandez Maeso (Arbitri): “Për mua është një luftë mes të dyve. Ai ankohet për fytyrën e tij, por unë nuk shoh asgjë”.

Hernandez Hernandez: Kur e heqë, kur ta largon krahun…, e godet në fytyrë”.

Hernandez Hernández: “Le të shkojmë drejtpërdrejt”.

Gazetari padyshim nuk ka marrë leje nga komiteti spanjoll i arbitrave, të cilët sipas Cadena SER, kanë hapur një hetim se si Romero ka aksesuar këtë audio nga dhoma VAR.

Po ashtu po bëhen hetime se përse incidenti nuk u rishikua në monitorin e VAR nga zyrtari i ndeshjes Francisco Hernandez Maeso nëse vihej re një faull i mundshëm nga Vini.

Reagimi i Barcelonës

Tifozët e Barcelonës ishin të indinjuar me mënyrën se si Real Madridi në thelb “vodhi tri pikë”. Xavi tregoi zhgënjimin e tij për gjyqtarët e dobët, duke pretenduar se do të jetë shumë e vështirë për Barçën të fitojë titullin e La Ligës nëse gjyqtarët vazhdojnë të favorizojnë Real Madridin. /Telegrafi/