Inceneratori i Fierit/ GJKKO dënon me 10 vite burg Lefter Kokën, Bllako 4 vite, Zoto 12 vite

0
38

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha vendimin sot për 21 të akuzuar, shumica e tyre kompani dhe shoqëri tregtare nën akuzë për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh në inceneratorin e Fierit.

GJKKO ka dënuar me 10 vite ish ministrin Lefter Koka, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e tetë muaj. Koka u shpall fajtor për të treja akuzat, Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa gjykata i hoqi të drejtën për funksione publike për pesë vjet.

Ish-sekretari i përgjithshëm, Alqo Bllako u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit”, por rikualifikohet vepra në “shpërdorim detyre të nëpunësit”. GJKKO vendosi dënimin me katër vite, por me zbritjen e një të tretës së dënimit shkon në 2 vite e tetë muaj burg.

Biznesmeni Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzat e “korrupsionit aktiv” dhe u dënua me 2 vite burg për “korrupsion pasiv” plus shtatë vjet “skema mashtruese” plus tetë vjet “pastrim parash”. Në përfundim ai dënohet me 12 vjet burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 8 vite burg.

Administratori i Inceneratorit të Fierit, Loran Dusha u shpall i pafajshëm për “korrupsion aktiv”, por fajtor për “pastrim parash” dhe dënohet me 7 vjet që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 4 vite e tetë muaj.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Florian Muçaj u dënua me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar shkon në 2 vite burg. Ai është liruar burgu, pasi i ka mbaruar dënimi.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Erjon Murataj u dënua me 3 vite burg, përfundimisht do të vuajë 2 vite burg.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Azem Shatëri u dënua me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar, shkon në 2 vite burg! Ai është liruar burgu, pasi i ka mbaruar dënimi.

Arbër Denizi, administrator i PIVOT-04, dënohet me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj burg.

Ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi dënohet me 3 vjet e 6 muaj që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vjet e tetë muaj. Në përfundim pezullohet dënimi dhe vihet në shërbim provë për katër vjet.

Regan Merdani, Administrator i “Froggysh.p.k” 3 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe konvertimin në shërbim prove.

Administratori i “Itneg sh.p.k” Gentian Zifla,u dënua me  3 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe konvertimin në shërbim prove.
Anëtarja e komisionit të dhënies së koncesionit, Sabika Cenomeri u shpall fajtore për shpërdorim detyre dënohet me tre vjet që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vjet. Në fund u urdhërua pezullimi i dënimit dhe u vendos shërbim prove për katër vjet.

Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, Arben Dervishaj, administratori i kompanisë J.P.Y Juri Ymeraj dhe Arjola Kodra u shpallën  të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Edhe shoqëria ITS dhe kompanitë e tjera u shpallën të pafajshme, ndërsa u vendos heqja e sekuestros për shoqërinë.

Sakaq GJKKO vendosi konfiskim të pjesshëm të vetëm dy pasurive të Lefter Kokës dhe urdhëroi lirimin e të tjerave.

Vendimet e GJKKO 25.09.2023