Maqedoni, tatimi solidar grumbullon 40 milionë euro – Telegrafi

0
54

Shteti deri tani nga tatimi solidar ka grumbulluar mbi 40 milionë euro. Kompanitë e mbetura kishin afat deri të premten më 24 nëntor të paguajnë këtë detyrim ligjor. Në rast të mos pagesës nga Drejtoria për të Ardhura Publike, paralajmëruan se do të pasojë bllokim i llogarive të tyre. Nga ky dikaster thonë se një kompani mund të shtyjë pagesën deri në fund të vitit, por me garanci bankare ose duke lënë garanci një pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se kanë mbetur edhe 9 kompani borxhli për këtë tatim, ndërsa një kompani do ta paguajë borxhin me kompensim. Për tetë kompanitë e tjera të mbetura që nuk e paguan borxhin do të përgatiten vendime për bllokimin e llogarive apo për pagesë të dhunshme për borxhin e mbetur prej afër 7 milionë euro.

Pra deri tani janë paguar 42 milionë euro, ndërsa me pjesën e mbetur ky tatim do të derdhë në arkën e shtetit afër 50 milionë euro.

Besohet se kompanitë që kanë vonuar pagesën e tij kanë pritshmëri që Gjykata Kushtetuese do ta shpallë këtë ligj jo kushtetues. Shumën më të madhe, prej 257.3 milionë denarë për tatim solidariteti, e ka paguar një kompani nga Shkupi me aktivitet të derdhjes së çelikut, e cila për vitin 2022 kishte të ardhura totale prej 11.3 miliardë denarë. Tatimin solidar të njëfishtë që vlen vetëm për këtë viti, e paguajnë kompanitë që vitin e kaluar kanë realizuar të ardhura mbi 10 milionë euro. Këto kompani paguanin tatimin në masën 30 për qind mbi diferencën e fitimit krahasuar me tre vitet e mëparshme. Për ata që nuk do të raportojnë saktë të ardhurat ose nuk do të paguajnë taksën, parashikohen edhe gjoba.

Nga Gjykata Kushtetuese që javën e kaluar ju kanë bërë thirrje firmave që të paguajnë këtë tatim dhe të mos presin vendimin e kësaj gjykate, për shkak se ligji është në fuqi dhe çdo kush ka obligim ta respektojë atë. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Dobrila Kacarska nuk është optimiste që nismat për shfuqizimin e tij të gjenden në rend dite para gjykatësve kushtetues para vitit të ri.

“Kjo është edhe detyrë kushtetuese e çdo qytetari. Ata duhet ta paguajnë këtë taksë, nëse Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe, atëherë do të diskutojmë hapat e ardhshëm të atyre kompanive. Dhe është e rëndësishme nëse në fillimin e një procedure, nëse Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizonte atë ligj apo do ta anulonte, në mënyrë që të kishte një ndryshim, nuk mund t’ju them se çfarë do të ndodhte, derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar”, thotë Kacarska.

Nga Qeveria deklaruan se në rast se Ligji për tatim solidar bie në Gjykatën Kushtetuese, atëherë të kompanive të hollat do t’ju kthehen nga buxheti i vitit të ardhshëm.

Kompanitë në periudhën e kaluar kanë kalkuluar me pagesën e tatimit solidar që del edhe nga vonesat në pagesën e tij. Deri më 31 tetor ishin paguar 2.210.108.927 denarë apo afër 30 milionë euro në bazë të tatimit solidar nga ana e 98 tatimpaguesve nga gjithsej 156 kompani. Ata që nuk kishin paguar kanë marrë vërejtje me shkrim më 6 nëntor dhe nëse nuk e përmbushin obligimin pritej që llogaria e tyre të bllokohet më 24 nëntor.

Më 9 nëntor 130 kompani iu përgjigjën detyrimit për pagesë, ndërsa 26 kompani nuk kishin paguar tatimin e njëhershëm. Dhe se fundmi mbetën më pak se dhjetë kompani që tatimin do ta paguajnë përmes bllokimit të llogarisë, për shkak se deri në javën e fundit të nëntorit nuk e kanë shlyer obligimin ndaj shtetit.

Ndryshe, nga taksa e solidaritetit, Qeveria parashikonte të mbledhë 4.7 miliardë denarë, ose rreth 76.4 milionë euro, si të hyra të jashtëzakonshme buxhetore që do të përdoren për të përballuar pasojat e krizës energjetike dhe COVID-19. Për atë pjesë të fitimit që nuk do të përfshihet në dispozitat e taksës së solidaritetit, shoqëritë do të paguajnë një taksë në masën e zakonshme dhjetë për qind.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se miratimi i ligjit për tatimin shtesë mbi fitimin në fund të vitit 2022, paraqet rrezik për reputacionin e shtetit dhe krijon pasiguri tek investitorët ekzistues dhe ata potencial, veçanërisht duke pasur parasysh që shtetet fqinje nuk kanë vendosur tatim të ngjashëm. Nga Oda ekonomike thonë se me konceptin e propozuar, kompanitë që kanë investuar në vitet e mëparshme dhe kanë realizuar një fitim më të vogël, krahasuar me fitimin potencialisht të rritur në vitin 2022, që do të realizonin si rezultat i investimeve, rritjes së efikasitetit në punë dhe rritjes së produktivitetit të punonjësve, vendosen në një pozicion të pafavorshëm. Nga atje shtojnë se ligji i solidaritetit do të demotivojë kompanitë dhe kompanitë e huaja do të preken fuqishëm.

“Të gjitha kompanitë tona mendojnë se kjo është e gabuar. Askush nuk është kundër pagimit të taksave, por le të thonë se cilat janë rregullat. Ne nuk mund të rivendosim rregullat e lojës brenda natës. Sikur u luajt ndeshja dhe do të flasim tani, por ju e dini që nuk ishte kështu, mund të ishte shënuar gol, sepse arbitri nuk i binte bilbilit”, thotë Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës ekonomike.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski nuk mendon se investitorët e huaj në këto zona do të ndikohen negativisht nga miratimi i Ligjit për taksën e solidaritetit me flamur evropian. Sipas tij, pas bisedimeve me kompanitë përkatëse vitin e kaluar kur u shpall ligji, reagime ka pasur vetëm një ose dy raste. Sipas tij, reagimi i bizneseve në lidhje me këtë ligj i cili u intensifikua veçanërisht këto ditë nga Oda Ekonomike, ishte për shkak se “nuk është thënë me kohë”. Për më tepër, duhet pasur parasysh se kjo është një zgjidhje e njëhershme dhe ky ligj që do të mbetet dhe do të rëndojë më tej flukset financiare të kompanive.

Në Kroaci në fund të vitit 2022 hyri në fuqi ligji për tatimit mbi fitimin ekstra që do të mbulojë pothuajse 200 biznese, të cilët duhet të paguajnë 198.99 milionë euro shtesë në buxhet. Sipas ligjit, ata me fitime të shtuara do të përballen me tatim shtesë mbi të ardhurat, pavarësisht nga aktiviteti që kryejnë. Kompanitë kroate që në vitin 2022, kanë realizuar më shumë të ardhura se 39.79 milionë euro, ndërsa fitimin e kanë më të madh se 20 për qind të mesatares katërvjeçare, në vitin 2023 do të paguajnë në këtë fitim mbi mesataren taksa shtesë të fitim sipas shkallës prej 33 për qind, bazuar në Ligjin për tatimin shtesë në fitim./Koha.mk/