“Të dhunuar nga 8 persona me uniformë…”/ Incidenti ‘ngre në këmbë’ qeverinë malazeze, Dukaj: Të identifikohen urgjentisht fajtorët

0
40

Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj ka dënuar dhunën e ushtruar nga ‘8 persona me uniformë’ ndaj tre shtetasve shqiptarë në Mal të Zi.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Dukaj u ka bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa në zbardhjen e ngjarjes dhe informimin e opinionit publik sa më shpejt të jetë e mundur për të gjitha detajet përkatëse.

Veprat kriminale nuk kryhen nga kombe apo institucione, por nga individë që kanë emër dhe mbiemër, prandaj është e nevojshme të identifikohen urgjentisht fajtorët, thotë Dukaj.

“U bëj thirrje organeve kompetente që të hetojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e ngjarjes në të cilën sipas raportimeve në rrjetet sociale “tetë persona me uniformë” në Herceg Novi sulmuan tre shtetas të Shqipërisë, të marrin masa në kompetencën e tyre dhe të informojnë publike sa më shpejt të jetë e mundur për të gjitha detajet përkatëse.

Fatkeqësisht, Mali i Zi ka përvojën e keqe të një incidenti të ngjashëm që ndodhi në fillim të vitit të shkuar, por për fat të mirë, ai ka gjithashtu një traditë shumë më të gjatë shekullore të fqinjësisë së mirë, çiltërsisë, përzemërsisë dhe solidaritetit.

Veprat kriminale nuk kryhen nga kombe apo institucione, por nga individë që kanë emër dhe mbiemër. Prandaj është e nevojshme të identifikohen urgjentisht fajtorët që të mos aludohet për ndonjë faj kolektiv, e aq më pak për politikë.

Ky mesazh dhe kjo filozofi veprimi dhe mendimi është thelbi i asaj që u përcolla pasditen e sotme zyrtarëve shqiptarë që më telefonuan me interes për këtë ngjarje fatkeqe që nuk është kurrësesi tradita mes dy shteteve tona”- shkruan Dukaj.


Top Channel