Gjenden thasë me rërë në Zveçan, policia: Po përgatisin barrikada!

0
44

Gjetja e thasëve me rërë në një objekt në qendër të Zveçanit nga policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX), ka ngjallur shqetësim për një ripërtëritje të mundshme të tensioneve në veriun e Kosovës, ku gjendja e sigurisë vazhdon të paraqitet e pastabilizuar plotësisht.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajoni e veriut, Veton Elshani pohoi se autoriteteve u kishin mbërritur informacione se diçka e paligjshme po ndodhte në objektin në fjalë. Nga kontrolli i forcave të rendit, aty u gjetën thasë më rërë të cilat mendohet se janë planifikuar për barrikada. “Njësia e Policisë së Kosovës nga Prishtina ndodhet në zonë për të përcaktuar qartësisht përse janë mbledhur këto thasë aty”, pohoi zëdhënësi. Fasada e objektit ku u kryen kontrollet mban një logo të “Brigadës së Veriut”, të shpallur pak kohë më parë si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.

Në disa raste në të shkuarën, pakënaqësinë me vendimet e Prishtinës zyrtare serbët lokalë e kanë shfaqur me bllokimin e rrugëve përmes barrikadave. Kjo ndodhi edhe korrikun e 2022-shit, kur për shkak të kundërshtisë ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt Jarinjës e Bërnjakut.


Top Channel